Koronica e pranon se nënshkroi dokumentet e lëshuara nga Qeveria e Serbisë që i siguruan atij para, thotë se u bën me kërkesën e klientëve 

Një kërkesë për qasje në dokumente publike në Komunën e Leposaviqit zbuloi me dhjetëra dosje, të cilat dëshmuan raste e raste të ndryshme të keqpërdorimeve që ndodhën ndër vite.

Dosjet që siguroi KALLXO.com janë dokumente që Komunës së Leposaviqit e po ashtu edhe dokumente të strukturave paralele serbe në këtë qytet.

Në mesin e këtyre dosjeve, ekipi arriti të ketë në duar edhe dosje të avokatëve të Kosovës që u paguan nga Qeveria e Serbisë për të mbrojtur palë serbe të përfshira në raste të ndryshme gjyqësore në Kosovë.

Faruk Korenica është njëri nga avokatët të cilëve iu gjet dosja në arkivin e dokumenteve të ruajtura nga strukturat paralele serbe të Leposaviqit.

Letra e bardhë që mbanë në vete të gjithë dokumentet për Korenicën, po ashtu e blerë në Serbi – saktë në Novi Sad – dëshmon se si avokati ka nënshkruar e vulosi dokumente që u lëshuan nga e ashtuquajtura “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, zyrë kjo që udhëhiqet nga Petar Petkoviq.

Në emisionin “Pagat nga Serbia” të Kallxo Përnime u prezantuan këto dosje që bën të ditur se si ndodhi e gjithë ngjarja.

KALLXO.com kontaktoi me avokatin Korenica, i cili e pranoi se i ka nënshkruar dokumentet e lëshuara nga Qeveria e Serbisë, e që përmes tyre më pas u pagua për shërbimin që ia bëri klientëve të tij.

“Po, po, po. Me siguri po, ama me kërkesën e klientit, çka ka bërë ai mua nuk po më intereson, unë po ia jepi shërbimin, aty kund në kushtetutë nuk shkruan që ti nuk guxon me e mbrojt filanin ose me marr pare” – tha Korenica.

Ai gjatë gjithë bisedës që pati me ekipin tha se të gjitha dokumentet e gjetura janë aktivitetet e klientëve që ai i ka mbrojtur.

“Unë lidhje me këtë nuk kam, ata janë kanë të obliguar me paraqit një emër kush po i mbron, do të thotë komplet raportin që e kanë këta me këto janë aktiviteti i klientëve, e jo aktiviteti im” – tha avokati.

Madje i njëjti shprehet se atij nuk i intereson se prej nga i siguron klienti paratë, duke thënë se e rëndësishme për të është që ai të paguhet për shërbimet që ai i kryen.

“S’di bre a po kuptoni, mua nuk po më intereson në çfarë mënyre ka ardh një klient i jemi deri në para, unë kam me të mbrojtë me tarifën e cila është këtu” – thotë ai duke shtuar “Unë me Qeverinë e Serbisë nuk kam lidhje, ai qysh gjendet, qysh i siguron këto, ajo është çështja e klientit”.

“S’po më intereson bre, mua s’po më intereson a janë prej Serbisë, a janë prej Amerikës, a janë prej Kinës, prej kahit janë, mua s’po më intereson” – vazhdon tutje Korenica.

Nga hulumtimi që bëri KALLXO.com u dëshmua se përpos avokatit Korenica, para që paguajtën shërbime të avokaturës morën edhe avokati Asdren Hoxha e edhe ish-kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla.

Lidhur me këto dëshmi që u gjetën, KALLXO.com kontaktoi me organet kompetente këtu në Kosovë, por edhe me Qeverinë e Serbisë.

Të vetmit që u përgjigjen për këto raste ishin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Depratamentin Special të së cilës edhe trajtohen rastet në fjalë.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se përfaqësimi i të pandehurve rrjedh nga autorizimi në mes të palëve dhe kjo është çështje personale në mes tyre. Për më shumë mund ti drejtoheni Odës së Avokatëve të Kosovës” – tha për KALLXO.com zëdhënësja pranë kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

Të kontaktuar ishin edhe Oda e Avokatëve, por që nga ta deri në momentin e publikimit të këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk u mor as nga Prokuroria Speciale e as nga Qeveria e Serbisë.