Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Pranon fajësinë për dhunë në familje, dënohet me shtatë muaj burgim me kusht

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me shtatë muaj burgim dhe 500 euro gjobë me kusht të akuzuarin për dhunë në familje.

Sipas akuzës së prokurorisë në Mitrovicë, i pandehuri në tetor të viti 2020 në Mitrovicë ka kryer keqtrajtim fizik dhe psikik me qëllim që të cenoj dinjitetin e personit tjetër brenda familjes dhe atë ndaj anëtarëve të familjes.

Tutje në akuzën e prokurorisë thuhet se ditën kritike, i akuzuari kishte filluar grindjen me të miturin- djalin e tij dhe më pas kishte ndërhyre djali i tij tjetër, me qëllim që t’i ndaj.

Kurse pasi që i pandehuri e kishte shtyrë të dëmtuarin, me pas kishte filluar t’i ofendoj dhe bërtasë atyre, gjë që dukshëm ka frikësuar dhe shqetësuar të dëmtuarin e që rastin e kanë lajmëruar në stacionin policor në Mitrovicë.

Me këtë, sipas akuzës, i pandehuri kishte kryer veprën penale dhunë në familje.

Sot në gjykatën e Mitrovicës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për këtë rast.

Pas leximit të akuzës nga prokurorja e rastit Jellena Marjanoviq, i pandehuri ka deklaruar se e pranon fajësinë për akuzën që i vihet barrë.

“Unë si prind i….. e pranoj fajësinë, se djali ka qenë në qytet… edhe e kam thirrë disa herë në telefon nuk e ka hap, kur ka ardhë i thash çka u bo bab pse s’pe hap telefonin se jena bo merak, ai me tha s’ki çka m’thirrë me m’pengu…E pranoj fajësinë, mendoj se si prind jam munduar për të mirën e tij, t’i bërtas dhe t’ia tërheq vërejtjen. Më vjen keq që ka ndodh kjo dhe i premtoj gjykatës që nuk do ta përsërisë. Tash raportet i kemi mirë”, deklaroi i pandehuri me rastin e pranimit të fajësisë.

Pranimi i fajësisë nga i pandehuri nuk është kundërshtuar nga prokurorja, ndërsa është aprovuar nga gjyqtari Rrahman Beqiri.

Sot gjykata ka marr vendim ndaj të pandehurit në këtë rast, ku i akuzuari është dënuar me shtatë muaj burg dhe 500 euro gjobë me kusht.

Koha verifikues e këtij dënimi është një vite, në mënyrë që i pandehuri të mos kryer vepër tjetër penale.