Praktika e Gjykatave të Kosovës në zgjidhjen e rasteve të shpifjes dhe fyerjes

Rregullimi ligjor i shpifjes dhe fyerjes

Nëpër media dhe përmes deklaratave publike shume shpesh kemi parë akuza më mes të palëve lidhur me deklarata të ndryshme të cilat shumë shpesh konsiderohen si shpifje por edhe fyerje ndaj personaliteteve të ndryshme, si mjet të parandalimit të këtyre deklaratave palët e ndryshme paralajmërojnë ngritjen e padive në drejtim të akuzave për shpifje dhe fyerje.

Është Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes që u mundëson qytetarëve që në rast se provohet se ndaj të njëjtëve janë shpërndarë deklarata të pa baza e të pavërteta, me qëllim të shpifjes dhe fyerjes, ndaj të njëjtëve është i mundur kompensimi i dëmit.

Në bazë të së drejtës pozitive në Kosovë, Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes: “… Shpifja nënkupton publikimin e një fakti ose deklarate të pavërtetë të cilën publikuesi e din ose është dashur ta dijë se fakti dhe deklarata është e pavërtetë, kuptimi i së cilës dëmton reputacionin e një personi tjetër”.

Publikimi i fyerjes, sipas ligjit në fjalë nënkupton: “…përhapjen e shprehjes me shkrim ose gojarisht, përmes mediave të shkruara ose transmetuese apo përmes mjeteve tjera, shprehje të cilën e ka lexuar ose dëgjuar së paku një person i tretë”.

Përpos përcaktimit të veçantë ligjor lidhur me rregullimin e çështjes së shpifjes dhe fyerjes, Kushtetuta e Kosovës është përkujdesur që qytetarët e Kosovës edhe aktin me të lartë juridik të vendit të kenë liri të garantuar të shprehjes.

Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndër liritë dhe të drejtat themelore të njeriut përcakton qartë se liria e shprehjes është e drejtë e garantuar që mbrohet me ligj.

Mirëpo përpos garantimit të lirisë së shprehjes, Kushtetuta ka përcaktuar se liria e shprehjes dhe liria e mediave mund të kufizohet me ligj në rastet kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Ndonëse në bazë të Kushtetutës së vendit tonë, censura është e ndaluar dhe askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet mediave, këtu bëjnë përjashtim ato raste kur konsiderohet se kufizimi i kësaj të drejte është i domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Kushtetuta ashtu si edhe Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes krijon mundësinë që çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin.

Përpos Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi në Kosovë ekzistojnë edhe dy institucione tjera si Komisioni i Pavarur i Mediave si dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, mekanizma këta të cilët janë të thirrur në përmirësimin e shërbimeve mediale në Kosovë. Këta dy mekanizma funksionojnë mbi parimin e respektimit të fjalës së lirë të qytetarëve dhe të drejtat e tyre për t’u informuar saktë dhe drejtë, duke mbrojtur qytetarët nga  lajmet e pavërteta si dhe gazetarët  nga ankesat e pambështetura.

E drejta pozitive secilit qytetar përmes procedurës gjyqësore i jep mbrojtje nga fyerja, brenda afatit të përcaktuar kohor dhe ligji i krijon mundësinë palëve që të kërkojë kompensim për dëmin moral e material të cilin pretendojnë që e kanë pësuar si rezultat i shpërndarjes së një informacioni të pavërtetë/të pasaktë.

Praktika gjyqësore kosovare në zgjidhjen e rasteve të shpifjes dhe fyerjes

Ndonëse Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes ka hyr në fuqi në vitin 2008, përkundër faktit se tashmë kanë kaluar disa vite prej që Kosova është bërë me një ligj të veçantë që e rregullon specifikisht çështjen e shpifjes dhe fyerjes, përpos kohës së kaluar, shumë pak vërehet se është vënë në implementim ky ligj, gjithnjë nëse flasim në kuptim të rezultateve konkrete.

Në bazë të monitorimit të KALLXO dhe të analizimit të rasteve konkrete, është vënë në pah fakti se Gjykatat tona ende kane dilema të theksuara kur vije puna tek vërja në funksion/punë e këtij ligji.

KALLXO si mostër të analizimit të zgjidhjes së këtyre rasteve nga Gjykatat tona ka marrë numrin prej 15 aktgjykimeve të cilat i ka analizuar për nga mënyra e zgjidhjes së tyre.

Nga 15 vendime të cilat kanë të bëjnë me zgjidhjen e rasteve të shpifjes dhe fyerjes, vetëm në pesë raste Gjykatat tona i kanë gjetur pjesërisht të bazuara kërkesat e paditësve lidhur me kompensimin e dëmit që pretendojnë tu është shkaktuar me rastin shpifjes dhe fyerjes ndaj tyre.

Dhjetë rastet e tjera në të cilat Gjykatat i kanë refuzuar kërkesat për kompensim të dëmit si rezultat i shpifjes dhe fyerjes, kanë ardhur për shkak se paditësit nuk kanë qenë në gjendje që para Gjykatave të mund të deponojnë dëshmi të qarta dhe bindëse për të provuar se të paditurit u kanë shkaktuar dëm qoftë moral apo material me rastin e shpërndarjes së një informacioni a deklarate për të cilën ata konsiderojnë se ka qenë e pa vërtetë.

Gjatë analizimit të këtyre rasteve kemi hasur në kërkesa për kompensim të dëmit që kanë kapur vlerat edhe të 10 milionëve por që kërkesa të tilla janë refuzuar nga Gjykatat tona me arsyetimin se të njëjtat pretendime nuk kanë mundur të vërtetohen përmes provave.

Shumica e padive të ushtruara në Gjykata kanë pasur të bëjnë me raste të shpërndarjes së informacioneve apo deklaratave qoftë përmes mediave apo rrjeteve sociale, për të cilat paditësit kanë pretenduar se  kanë qenë të pavërteta dhe që me shpërndarjen e informacioneve të tilla të njëjtëve u është shkaktuar dëm material e shpirtëror.

Ndër arsyet kryesore të refuzimit të kërkesëpadive lidhur me pretendimet për shpifje dhe fyerje ka qenë pamundësi e paditësve që të provojnë dëmin që u është shkaktuar.

Gjykatat kanë kërkuar nga paditësit që në mënyrë që të provojnë dëmin që u është shkaktuar të njëjtit duhet që me prova bindëse të paraqitura në Gjykatë, me vlera reale të shkaktimit të dëmit të vërtetojnë pretendimet e tyre.

Në shumicën e këtyre kërkesë padive të palëve është vërejtur se palët me rastin e ushtrimit të kërkesëpadive në shumë pak raste kanë paraqitur ekspertiza qoftë financiare apo psikologjike për të vërtetuar dëmin e pretenduar.

Përpos pretendimeve të palëve për dëmin e pësuar, të njëjtit në raste minimalisht të vogla kanë qenë në gjendje që para Gjykatës të paraqesin prova të cilat do të mund të pasqyronin në mënyrë të qartë dëmin, qoftë material apo moral/shpirtëror që u është shkaktuar me shpërndarjen e shpifjes apo të fyerjes.

Në ato pak raste kur paditësit së bashku me padi apo gjatë procesit gjyqësor kanë paraqitur dëshmi të cilat kryesisht kanë qenë dëshmi që kanë pasur të bëjnë me vërtetimin e dëmit shpirtëror që konsiderohej që u është shkaktuar, Gjykata këtë provë e ka konsideruar si ndër provat kryesore për të vërtetuar shpifjen dhe fyerjen, mirëpo kur ka arritur tek përllogaritja e këtij dëmi, atëherë kompensimi dhe llogaritja mbi shumën e detyrueshme për kompensim është bërë vetëm në formë të kompensimit në formë morale, në kuptim të shpagimit dhe vërtetimit që një konstatim a deklaratë e tillë ka qenë e pavërtetë por duke mos hyr në detaje më të hollësishme të matjes reale të këtij dëmi.

Gjykatat në arsyetimin e tyre lidhur me matjen e kompensimit kanë marrë për bazë faktin se Gjykata me rastin e marrjes së vendimit ka tentuar që të jetë sa më racionale dhe në mënyrë proporcionale me dëmin e shkaktuar si kompensim për dëmtimin e reputacionit të paditësit/dëmtuarit në këtë rast.

Me rastin e përllogaritjes së kompensimit të dëmit në këto raste Gjykata kanë marrë për bazë edhe gjendjen ekonomike të shkaktarit të dëmit/të paditurit si dhe në disa prej këtyre aktgjykimeve është vërejtur se me rastin e caktimit të shumës për kompensim, Gjykata tona kanë pasur kujdes në caktimin e lartësisë së kompensimit duke u bazuar në faktin e mos shkaktimit të frikës së përgjithshme të krijimit të një ambienti që në të ardhmen do të mund të ndikonte dukshëm në cenimin e lirisë së shprehjes.

Ajo çfarë është vërejtur gjatë analizimit të këtyre rasteve ka qenë mungesa e vendimeve a opinioneve të Komisionit të Pavarur të Mediave si dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në rastet e analizuara nga KALLXO, në asnjë prej kërkesëpadive të ushtruara në Gjykatë edhe në rastet kur palë e paditur ka qenë ndonjë media e cila në shumë raste ka qenë anëtare e këtyre dy institucioneve, paditësit nuk kanë deponuar në Gjykatë si provë ndonjë vendim apo opinion të këtyre mekanizmave.

Palët para se të ushtrojnë padinë në Gjykatë kanë të drejtë që aneksen e tyre fillimisht ta drejtojnë për shqyrtim në këta dy mekanizma, mirëpo në të gjitha rastet e studimit të cilat i kemi analizuar kemi vërejtur se palët nuk e kanë ushtruar një të drejtë të tillë.

Përpos anashkalimit të mekanizmave vendor, përveç bazës kryesore në Kushtetutë, Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, Ligjit të Procedurës Kontestimore dhe Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, paditësit e po ashtu edhe Gjykatat tona në raste shumë të pakta janë thirrur në mekanizmat ndërkombëtar që janë të thirrur për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Njëjtë si palët, po ashtu edhe gjyqtarët tanë, në raste shumë të vogla kanë përdorur praktikat dhe rastet e studimit të përkrahura nga mekanizmat ndërkombëtar siç janë Konventat Ndërkombëtare apo rastet hipotetike të zgjidhura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Si konkludim, vlerat juridike të mbrojtura me dispozita të së drejtës pozitive (Kushtetuta, ligjet material etj) në  Kosovë  dhe praktika gjyqësore e GjEDNj, ende nuk kanë  arritur në  statusin e merituar në  vendimet të cilat nxirren nga Gjykatat e vendit, në  raport me shqyrtimin e vlerësimin e shkakut dhe pasojës si rrjedhojë  e shpifjes dhe fyerjes edhe pse duhet konstatuar që  është  shënuar përparim i vogël në  këtë  fushë .

Nga analizimi i pesë rasteve të aprovimit të pjesshëm të kërkesëpadive, aprovimi i kërkesës së kompensimit të dëmit është bërë minimalisht.

Ky kompensim minimal i dëmit është bërë vetëm në bazë të vërtetimit të faktit se deklarata apo informacioni i shpërndarë ka qenë i pavërtetë dhe shpifës, mirëpo matja e lartësisë së dëmit të shkaktuar me rastin e përhapjes së një informacioni të tillë ka qenë e vështirë e po thuajse e pa arritshme për Gjykatat tona.

Pra nga analizimi i këtyre rasteve vijmë në përfundim se edhe në ato pak raste kur është arritur të provohet shpifja dhe fyerja, gjithnjë kompensimi i dëmit jo material në këtë rast shpirtëror/moral ka qenë jo i plotë por që ka tentuar që të shërbejë si satisfaksion për të dëmtuarin që i është shkaktuar dëmi.

Nga analizimi i detajuar i këtyre rasteve vërehet se ndonëse tashmë ka disa vite që Kosova ka mekanizma dhe bazë juridike për të trajtuar shpifjen dhe fyerjen, ende nëpër Gjykatat tona ekziston paqartësi dhe pa siguri në implementimin e këtyre dispozitave që përcaktojnë shpifjen dhe fyerjen.

Në të gjitha kërkesëpaditë e ushtruara nga palët, e të analizuara nga KALLXO është vërejtur se palët e kanë pasur shumë të vështirë që para Gjykatës të argumentojnë pretendimin e tyre lidhur me lartësinë  e dëmit të shkaktuar dhe argumentimin e këtij dëmi me dëshmi reale.

Praktika gjyqësore në syrin e avokatëve

Lidhur me praktikën gjyqësore të ndërtuar në Kosovë për trajtimin e këtyre rasteve për KALLXO.com janë deklaruar edhe avokatët Merita Stublla Emini dhe Durim Osmani.

Sipas avokates Stublla-Emini, koncepti i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është  i ri, në  zhvillim e sipër dhe ende i pa eksploruar mjaftueshëm.

“Përkundër që  Ligji kundër shpifjes dhe fyerjes është  relativisht i mirë dhe i qartë. Gjykatat e Kosovës pa përjashtim ende nuk e kanë  plotësisht të  qartë  çështjen e shpifjes dhe fyerjes dhe/ose konceptin e fjalës së  lirë  në  raport me shpifjen dhe fyerjen”, ka thënë avokatja Merita Stublla-Emini.

Ndërsa avokati Durim Osmani deklaroi se me kalimin e kohës praktika gjyqësore në trajtimin e rasteve të shpifjes dhe fyerjes është duke u përmirësuar.

“Praktika gjyqësore në Kosovë sa i përket rasteve të shpifjes dhe fyerjes në fillim të hyrjes në fuqi të ligjit civil për shpifje dhe fyerje nuk ka pasur vendime uniforme si dhe të drejta për shkak natyrës komplekse të këtyre rasteve, mirëpo, ma kalimin e kohës vendimet gjyqësore duket se janë më profesionale dhe i plotësojnë standardet minimale kushtetuese në këto çështje”, tha Osmani.

Avokatja Merita Stublla-Emini problematike e cilësoi çështjen e vendosjes lidhur me masën e sigurisë.

“ Jurisprudenca e Kosovës ende nuk ka arritur mjaftueshëm që  të  kuptojë  dhe/ose vendosë  lidhur me efektet dhe pasojat që  i shkakton shpifja dhe fyerja. Për më  tepër, vendimet gjyqësore nuk po arrijnë  që  të  mbrojnë  qytetarin nga efektet që  i prodhon shpifja dhe fyerja më  saktësisht, shumë  rrallë  po vendosin lidhur me masën e sigurimit me të  cilën nëse vendoset do të  mund të  zvogëlohen efektet e dëmshme që  i prodhojnë  shpifja dhe fyerja”, deklaroi Stublla-Emini.

Si shqetësim shumë të madhe avokatja e cilësoi edhe vonesën tejet të madhe që u bëhet trajtimit të këtyre rasteve, vonesa në trajtimin e rasteve sipas avokates e zbeh më pas edhe vendimin përfundimtar të Gjykatës.

“Afati kohor është  esencial kur duhet zgjidhur këto çështje ngase, janë  të  lidhura me personalitetin, reputacionin, dinjitetin etj., të  qytetarit dhe cenimi i tyre prodhon efekte të  dëmtimit të pa riparueshëm të vlerave të  mbrojtura me dispozitat e së  drejtës pozitive në  njërën anë  dhe  në  anën tjetër, nxjerrja e vendimit meritor përfundimtar për të  mbrojtur këto vlera mesatarisht pas 8-9 viteve, ka efekt shumë  më  të  vogël”, ka thënë Stublla-Emini.

Tutje avokatja e komentoi edhe çështjen e vlerësimit të dëmit, për çka tha se Gjykatat ende nuk kanë arritur që të krijojnë mekanizmat të vlerësimit të dëmit të cilat shkaktohen nga shpifja dhe fyerja.

“As dispozitat ligjore (ligjet bazike dhe aktet nënligjore) e as praktika gjyqësore nuk kanë  arritur që  të  krijojnë  as standard e as mekanizma të  vlerësimit të  dëmit që  i shkaktohet qytetarit nga shpifja dhe fyerja. Vlerësimi i dhimbjeve shpirtërore nga ana e psikologut /psikiatrit pa standarde (prag dhe plafon), të  përcaktuara me akte normative  e kanë  zbehur për të  mos thënë  e kanë  bë të pa rëndësishme kërkesën e palës së  dëmtuar për të  kërkuar kompensimin e dëmit jo material që  gjithmonë  është  më  i rëndësishmi kur flitet për vlerat juridike të  mbrojtura. Po ashtu, nuk duhet lënë  anash edhe ekspertizat financiare të  cilat shpesh dhe më  lehtë  materializohen dhe aprovohen kur janë  të  bazuara”, tha ajo.

Kurse avokati Durim Osmani e cilësoi si të komplikuar dhe shumë delikate zgjidhjen e rasateve të shpifjes dhe fyerjes si dhe përcaktimin e dëmit material, duke deklaruar se përkundër kësaj gjyqtarët kosovar po tregojnë përformancë të mirë në trajtimin e këtyre rasteve.

“Kufiri i lirisë së shprehjes nuk është i kjartë pa njohje shumë të mirë të kësaj lëmie, p.sh në një rrethanë identike, vlerësimi i bazës së kompensimin /shpërblimit të dëmit në rast të shpifjes ose fyerjes për një qytetar të zakonshëm dhe një politikan ose figurë publike mundë të ketë përfundime të ndryshme gjyqësore, prandaj duke marr parasysh të gjithë këta faktor gjyqtaret e Kosovës kanë një përformancë habitshëm të shkëlqyer në këto çështje”, deklaroi Osmani.