Hoxhe Enes Goga dhe gazetarja Arbana Xharra

Gjykata e Prishtinës vendos për padinë e Enes Gogës ndaj gazetës 'Zëri' dhe Arbana Xharrës

Gjykata e Prishtinës e ka hedhur poshtë padinë e ish-kryeimamit Enes Goga kundër kundër gazetës “Zëri” dhe ish-gazetares Arbana Xharra.

“Mollë sherri” në mes të palëve ndërgjyqëse u bë publikimi i shkrimit me titull “Imamët e dyshuar për Terrorizëm po përgatisin fushat Denigruese kundër Imamëve Modern”, i publikuar më 06.04.2016.

aktgjykimin e nxjerrë me datë 19.01.2024 Gjykata e Prishtinës i ka dhënë epilog betejës gjyqësore në mes të kryeimamit Enes Goga kundër gazetës “Zëri” dhe Arbana Xharrës duke e refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e kreimamit ushtruar ndaj dy të paditurave.

Enes Goga përmes të autorizuarit të tij Durim Osmani në padinë e ushtruar me 06.04.2016 kishte kërkuar që gazeta “Zëri” t’i kompensojë dëmin e pretenduar jo material në shumë prej 20,000 euro pa kamatë ligjore, përkatësisht 10,000 euro  për shkak të cenimit të autoritetit, 5,000 euro për shkak të cenimit të nderit, 5,000euro për shkak të shkaktimit të dhembjeve shpirtërore.

Kurse nga Arbana Xharra, kryeimami i Pejës kishte kërkuar kompensim për dëmin e pretenduar jo material në shumë prej 20,000 euro pa kamatë ligjore, përkatësisht 10,000 euro për shkak të cenimit të autoritetit, 5,000 euro për shkak të cënimit të nderit, 5,000 euro për shkak të shkaktimit të dhembjeve shpirtërore”.

Por të dyja këto kërkesa i ka konsideruar të pabazuara gjyqtarja e rastit Lendita Berisha, e për më tepër Enes Gogës ia ka akorduar edhe detyrimin e shpenzimeve procedurale, përkatësisht shumën e përgjithshme prej 312 eurove të cilën do t’ia paguajë dy palëve të paditura.

Gjykata ka vlerësuar se temat e trajtuara në artikullin që është objekt i gjykimit, e që ndërlidhet kryesisht me aktivitetet e pjesëtarëve të lëvizjeve fetare paraqesin çështje të interesit të përgjithshëm publik.

Bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës, por edhe deklarimet e vet paditësit, gjykata gjen se paditësi ka pasur dhe ka rol aktiv në jetën fetare në Kosovë, pasi që mbante pozitën e kryeimamit në Këshillin e Bashkësisë Islame në Pejë. Ndaj sipas vlerësimit të gjykatës, paditësi është person i njohur për publikun, dhe si i tillë do të konsiderohet person publik, “andaj, kufijtë e kritikës së pranueshme duhet të jenë më të gjera sesa në rastin kur objekt kontesti mund të jenë deklarimet apo publikimet ndaj një individi privat.”

Më tutje Gjykata e Prishtinës ka aplikuar konstatimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila në një nga rastet e gjykuara, kishte konkluduar se gazetarëve nuk duhet t’iu kërkohet të ofrojnë prova lidhur me bazën faktike të të thënave në artikujt e tyre, në rastet kur autori raporton për atë që thuhet nga të tjerët.

Këtij konstatimi i është bashangjitur edhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës i datës 01.11.2023 cili kishte konstatuar se “i padituri nuk ka për detyrim që paditësit t’ia kompensojë dëmin mbi bazën e shpifjes, për shkak të informacionit shpifës ndaj personalitetit të paditësit në mënyrë publike, […] për arsye, sipas aktgjykimit me këtë rast rezulton se deklarata e të paditurit ndaj paditësit e dhënë në një gazetë, e cila në artikullin e vet ka përdorur edhe disa burime tjera informacioni dhe deklaratat e të paditurit nuk përbën shpifje dhe fyerje, por se mund të konsiderohet një çështje e ngritur në interesin e përgjithshëm”.

Lekë Morina, përfaqësues i Arbana Xharrës dhe gazetës “Zëri” ia ka konfirmuar KALLXO.com se nuk do ta ankimojnë vendimin.

Në lidhje me këtë vendim të gjykatës, Enes Goga ka konfirmuar për KALLXO.com se avokati tij, Feim Alaj e ka dorëzuar ankesën lidhur me këtë aktgjykim.

Në anën tjetër, vendimin e gjykatës e ka mirëpritur ish-gazetarja Arbana Xharra.

Në një postim në platformën “X”, Xharra ka thënë se kjo nuk nënkupton vetëm fitore personale.

Kam kënaqësinë t’ju informoj se padia e iniciuar nga Imam Enes Goga kundër meje dhe publikuesit Zëri-t, është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ky vendim nënkupton jo vetëm një fitore personale, por gjithashtu është një dëshmi e rëndësisë më të gjerë për gazetarët që hetojnë dhe ekspozojnë me zell raste të radikalizmit fetar në Kosovë” – thuhet në reagimin e saj. 

Kurse Enes Goga i cili po ashtu ka reaguar përmes platformës “X”, është shprehur i çuditur se si gjykata ka heshtur ndaj një shkrimi, sipas tij, me plot të pavërteta.

“Paramendoni me deklaru se,”të pretendohet se në komunën e Pejës pjesëtarët e besimeve të tjera janë rrahur brutalisht”, kjo kurrë ska ndodhë as para lufte as pas lufte ne komunen e Pejës kjo është më shumë se shpifje..Gjykata hesht, interesante, sa DËME i kanë bë Vatanit!” – ka shkruar Goga.

Raportimet paraprake të KALLXO.com lidhur me këtë rast, por edhe procese të tjera juridike të Enes Gogës mund t’i lexoni KËTU.