Kryeimami i Pejës kërkon 40 mijë euro dëmshpërblim nga gazeta “Zëri” dhe Arbana Xharra për shpifje dhe fyerje

Shtatë vjet pas dorëzimit të padisë, kryeimami i Pejës, Enes Goga, është dëgjuar në cilësinë e paditësit, në rastin përmes të cilit ai ka kërkuar 20 mijë euro dëmshpërblim për shpifje dhe fyerje nga gazeta “Zëri” dhe 20 mijë euro të tjera nga gazetarja Arbana Xharra, lidhur me një shkrim të publikuar në vitin 2016.

Padia është dorëzuar në lidhje me artikullin me titull “Imamët e dyshuar për Terrorizëm po përgatitësin fushata Denigruese kundër Imamëve të Moderuar”, i publikuar më 6 prill të vitit 2016, i cili sipas Gogës përmban shpifje dhe fyerje.

Goga në këtë seancë tregoi katër pretendimet e tij, që i ka konsideruar si shpifje dhe fyerje në artikullin e publikuar. Të parin e përmendi faktin që është cilësuar si prijës i lëvizjes “Vehabiste” në Kosovë, së dyti kur është përmendur elementi që i njëjti ka qasje dhe ka siguruar dosje sekrete brenda Prokurorisë së Shtetit dhe brenda Policisë së Kosovës.

“Shpifja e tretë me radhë ku gazetarja deklaron se “në një raport të intelegjencës ndërkombëtare të publikuar më parë kishte bërë me dije që Enes Goga është i lidhur me krimin e organizuar, kishte ndërtuar kampe rekrutime të xhihadistëve është i përfshirë në rrjetin e drogës është pjesë e haraçit kundër bizneseve dhe e katërta është shumë e rëndë ofenduese të pretendohet se në komunën e Pejës pjesëtarët e besimeve të tjera janë rrahur brutalisht” – specifikohen si elemente të fundit sipas paditësit.

Lidhur me këtë potencim [për raportin e Inteligjencës Ndërkombëtare], përfaqësuesi i paditësit, Durim Osmani, i kishte propozuar Gjykatës që pala e paditur të paraqes si provë këtë dokument. Por ky propozim u kundërshtua nga Lekë Morina, përfaqësues i palës së paditur.

Morina, po ashtu i parashtroi pyetje kryeimamit Enes Goga gjatë seancës gjyqësore.

“A e identifikoni ju veten me lëvizjen ‘Vehabiste'” – e pyeti Morina, përfaqësues ligjor i gazetares Arbana Xharra.

Goga tha se nuk ka qenë asnjëherë, nuk njeh lëvizje ‘Vehabiste’ dhe as nuk e identifikon veten në lëvizje të tillë.

“Unë jam shqiptar për nga nacionaliteti, për nga besimi jam mysliman, as s’kam qenë, as nuk njoh një lëvizje të tillë [vehabiste]”- u përgjgj Goga.

Goga në këtë rast tha se nga publikimi i lajmit të tillë, në aspektin emocional dhe psiqik ka qenë një barrë e panevojshme për të dhe familjen e tij.

Mbrojtësi i gazetares Arbana Xharra e pyeti kryeimamin Goga nëse të njëjtit i ishte shqiptuar masë disiplinore nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Ai e pranoi se i ishte shqiptuar masë disiplinore nga BIK-u në vitin 2016 dhe se paga i ishte zvogëluar për 20% për rreth 9 muaj.

“Për fund jam i bindur dhe i qetë se Gjykata me llupën e saj do të manifestojë të drejtën përballë këtyre të pavërtetave të mëdha dhe qesharake”- tha Goga.

Në këtë seancë prezent ishte kryeimami Enes Goga, kurse Arbana Xharra dhe gazeta “Zëri” u përfaqësuan nga Lekë Morina.

Sipas padisë së parashtruar nga Enes Goga, në prill të vitit 2016, gazeta “Zëri”, me autore Arbana Xharra në lajmin e publikuar me titullin “Imamët e dyshuar për Terrorizëm po përgatitësin fushata Denigruese kundër Imamëve të Moderuar”, mediumi në fjalë ka përhapur lajme të pavërteta të cilët njëkohësisht konsiderohen si fyerje.

Sipas paditësit, në këtë shkrim të vitit 2016 ka shpifje dhe fyerje kur thuhet “Enes Goga është lider i lëvizjes vehabiste në regjionin e Pejës, lëvizje e cila është e lidhur me krimin e organizuar, trafiqet e drogës, haraçin ndaj biznesit, shantazhi rrahje brutale etj. Enes Goga si lider i lëvizjes vehabiste, ka siguruar dosje nga prokuroria e shtetit dhe ka në shërbim pjesëtar të Policis së Kosovës të cilët i’u sigurojnë informacione të klasifikuara brenda dosjes policore, e të cilat informacione përdoren si mjete denigrimi kundër imamëve të moderuar Brenda BIK.”

“Enes Goga është suspenduar nga pozita e tij si kryeimam dhe se është i dyshuar për përdhunim të varrezave”- citohet shkrimi i palës së paditur (Arbana Xharrës), në padinë që e kishte parashtruar Goga.

Ky lloj i shkrimit sipas paditësit është tërësisht i pabazuar dhe i pavërteta dhe se i mungon profesionalizmi në fushën e gazetarisë.

Goga përmes padisë pretendon se përmes këtij lajmi është dëmtuar reputacioni, gjegjësisht i është cenuar autoriteti si kqyeimam në Komunën e Pejës. Në bazë të padisë i njëjti theksoi se ka dhimbje të theksuara shpirtërore pas publikimit të këtij lajmi.

Goga përmes kësaj padie ka kërkuar nga gjykata shumën prej 20 mijë eurove prej gazetës “Zëri” në emër të kompensimit të dëmit jomaterial. Njëjtë ka kërkuar 20 mijë euro edhe nga autorja e shkrimit, Arbana Xharra shumën prej 20 mijë euro në emër të kompensimit të dëmit jomaterial.

Sipas përgjigjes në padi të gazetës “Zëri” dhe autores së lajmit në fjalë, artikulli në fjalë nuk i drejtohet Enes Gogës si individ i cili ka siguruar qasje në Prokurorinë Speciale dhe në Policinë mirëpo artikulli flet në përgjithësi për pjesëtarët e këtij grupi vehabist duke mos iu referuar në asnjë pikë Enes Gogës, si vijë ndërlidhëse e këtij grupi me PSRK-në dhe Policisë së Kosovës.

“Andaj sipas përgjigjes në padi, pretendimet e Gogës janë të pavërteta” – thuhet në përgjigjen në padi.

Në përgjigjen në padi kundërshtohet pjesa në të cilën kontestohet profesionalizmi i lajmit duke argumentuar se i njëjti bazohet në raportin e inteligjencës së karakterit ndërkombëtar në të cilin raport thuhet se Goga është lider i lëvizjes “Vehabiste” në Pejë. Raporti tutje elaboron sipas përgjigjes në padi se kjo lëvizje “Vehabiste” në Pejë është e lidhur me krim te organizuar prej trafiqeve të drogës e deri në haraç kundër bizneseve.

Ndërsa sa i përket pjesës së dëmtimit të varreve apo kufomave, në përgjigjen në padi përmendet fakti se nuk është përmendur Goga si i akuzuar por si person që ka qenë i dyshuar për “Veprimtari lidhur me terrorizmin dhe nxitjen e urrejtjes fetare në Kosovë”.

Dhe se është e pakontestueshme se paditësi ka qenë i arrestuar dhe i dyshuar për veprimtari të lidhur me terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes fetare.