Gjykimi ndaj Nuredin Lushtakut dhe 2 vëllezërve të tij | Foto: KALLXO.com

Plagosja e policit me armë zjarri, vëllai i Nuredin Lushtakut pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje

Ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, së bashku me dy vëllezërit e tij, Faton dhe Arif Lushtaku, kanë dalë para Gjykatës së Prizrenit për të përballuar akuzat e prokurorisë lidhur me veprat penale sulm ndaj zyrtarit, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Prokuroria po pretendon se në korrikun e vitit 2022, tre vëllezërit Lushtaku kishin sulmuar dy zyrtarë policorë pasi i ishte shqiptuar një gjobë djalit të Nuredin Lushtakut.

Incidenti përfundoi me një policë të plagosur me armë zjarri në këmbë derisa tjetri kishte marrë plagë në kokë nga mjeti i fortë.

Akuza thotë se pasi dëshmitari A.L. ka thirrur babanë, Nuredin Lushtaku, ai ka ardhur me dy vëllezërit e tij dhe kanë sulmuar dy zyrtarët policorë, E. B. dhe M.G.

Në lidhje me këto akuza, Nuredin e Faton Lushtaku u deklaruan të pafajshëm për pikat e akuzës.

Ndërkaq, Arif Lushtaku ka pranuar fajësinë vetëm për veprën penale mbajtje në pronësi ose kontroll të armës.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga Prokuroria.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani i njoftoi të akuzuarit se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe provave.

Ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe dy vëllezërit e tij dalin para gjykatës

Dosja e Prokurorisë për ish-nënkryetarin e Skenderajt, Nuredin Lushtaku, rreth plagosjes së një polici

Shënim: Artikulli është edituar në 12:28, në përshkrimin ku thuhej se “Prokuroria e ka kundështuar pranimin e fajësisë”, por në fakt Prokuroria nuk e ka kundërshtuar, por e ka lënë për vlerësim nga gjykata.