
Dosja e Prokurorisë për ish-nënkryetarin e Skenderajt, Nuredin Lushtaku, rreth plagosjes së një polici
Ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i cili dyshohet se me familjarë ishte përfshirë në incidentin ku u plagos një polic, pritet që të përballen me aktakuzën e Prokurorisë.
Shqyrtimi fillestar do të mbahet nesër në Gjykatën e Prizrenit.
Një polic në korrik të vitit 2022 është plagosur në Skenderaj pas një përleshjeje fizike me disa persona. Të përfshirë në këtë rast dyshohet se janë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dhe familjarët e tij Faton dhe Arif Lushtaku.
Shqiptimi i një gjobe trafiku ndaj djalit të Nuredin Lushtakut dyshohet të jetë shkaku që çoi në përleshje fizike të 3 vëllezërve Lushtaku me dy zyrtarët policorë. Kjo përleshje përfundoi me plagosjen e njër prej policëve.
KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë në lidhje me veprimet që po dyshohen t’i kenë kryer të pandehurit Faton, Arif dhe Nuredin Lushtaku.
Sipas dosjes, më 3 korrik 2022, rreth orës 23:45 minuta, në Skenderaj të pandehurit së bashku i kanë sulmuar zyrtarët policor E.B. dhe M.G., të cilët duke zbatuar kontrollin rutinë i kanë shqiptuar një tiketë dëshmitarit Arbër Lushtaku për shkak të mosvënies së rripit të sigurisë.
Aktakuza thotë se dëshmitari Arbër Lushtaku kishte thirrur në telefon prindin e tij, Nuredin Lushtaku, i cili vjen menjëherë bashkë me dy vëllezërit e tij Faton e Arif Lushtaku dhe fillon të fjaloset me zyrtarët policorë.
“I pandehuri Nuredin Lushtaku fillon të fjaloset me zyrtarin policor E.B duke iu drejtuar me fjalët: ‘pse e ke ndalë këtë djalë, çka është problemi, çka ka bërë djali’ dhe kur i dëmtuari-polici i është përgjigjur se e kemi ndal për shkak të mos vendosjes së rripit të sigurisë, i pandehuri Nuredin i drejtohet policit: ‘djali dhe shokët e tij e kanë pasë’, ‘ti je një idiot’. I dëmtuari E.B i përgjigjet me fjalët: ‘unë kam respekt për ty’, ndërsa i pandehuri Nuredin ia kthen me fjalët: ‘nuk më duhet respekti juaj… ta q* nanën”-përshkruhet në aktakuzë.
Tutje në akuzë thuhet se pas kësaj zyrtari policor ka njoftuar bazën duke kërkuar ndihmë, ku në këtë rast të pandehurit Nuredin, Faton dhe Arif Lushtakut i janë afruar të dëmtuarit duke krijuar një hark, të tre kanë nxjerrë armët ku Nuredin Lushtaku e kishte drejtuar armën në pozitë të gjuajtjes në drejtim të të dëmtuarit E.B.
Sipas dosjes, atëherë i dëmtuari e kishte nxjerrë armën, ishte tërhequr prapa dhe kishte dhënë urdhër verbal ‘ndal!’, ‘ndal!’ dhe më pas kishte shtënë dy herë me armë në ajër.
Në këtë moment të pandehurit, Nuredin, Faton dhe Arif Lushtaku i janë vërsulur të dëmtuarit dhe me dorëz të armëve të shkurta të cilat i mbanin në duar e kanë goditur në kokë të dëmtuarin E.B., i cili nga goditjet është rrëzuar në tokë dhe të pandehurit e kanë goditur me grushte duke tentuar t’ia heqin armën.
“Në atë moment ishte dëgjuar një e shtënë e armës nga e cila ishte goditur i dëmtuari-polici M.G. në këmbë i cili kishte tentuar që t’i ndalë të pandehurit”-shpjegohet në aktakuzë.
Ndërkaq, i pandehuri Faton Lushtaku kishte arritur t’ia rrëmbejë armën policit-të dëmtuarit E.B. dhe në atë kohë arrin edhe polici-dëshmitari, Xh.M., i cili ka tentuar t’ia largojë armën të pandehurit duke i thënë: ‘Mos gjuaj Nuredin! Lëshoje armën!’ si dhe e kishte nxjerrë sprejin dhe ka hedhur në drejtim të të pandehurve.
Në ato momente, sipas Prokurorisë, kishte ndërhyrë edhe polici B.B. duke tentuar t’i largojë të pandehurit nga i dëmtuari, i cili ka dëgjuar të pandehurit duke thënë: ‘Ia morëm armën’ dhe më pas të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre.
Dy policët sipas Prokurorisë kanë marrë lëndime trupore nga goditjet dhe arma e zjarrit.
Me këtë të pandehurit, sipas Prokurorisë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – sulmi ndaj personit zyrtar.
Aktakuza Faton, Arif dhe Nuredin Lushtakun i ngarkon edhe për veprat penale – armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.
(Ky artikull është edituar në titull dhe përmbajtje në pjesën ku flitet për plagosjen e policit)