Pal Lekaj ballafaqohet në gjykatë me ekspertin financiar

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për subvencionet e shpërndara në Gjakovë, sot nën udhëheqjen e kryetarit të trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, u prezentua ekspertiza financiare.

Pal Lekaj për kohën sa ka qenë në krye të komunës së Gjakovës po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e bashkë me të për keqpërdorim pozite po akuzohet Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Ekspetizën financiare e shpjegoi eksperti Rrustem Asllanaj.

Asllanaj, tregoi se në atë kohë kur kanë ndodhur veprimet nuk ka pasur ndonjë rregullore për ndarjen e subvencioneve.

Ai tha se nuk kanë mundur të vërtetojnë shumën e keppërdorimit.

“Mos qënja e rregullores është mbulu me marrjen e vendimeve nga ana e bordit të drejtorëve të komunës, të cilat janë deleguar tek drejtori i departamentit për bujqësi, i cili më pas ka deleguar te komisioni për mbikqyrjen për shperndarjen e subvencioneve”, deklaroi eksperti Rrustem Asllanaj.

Ai tha se përgjegjësia e Pal Lekajt në atë kohë ka qenë të udhëheqë bordin e drejtorëve, bashkë me kërkesat e të ardhurave nga departamenti i bujqësisë.

“Ne si komision nuk kemi arrit me konstatu se sa është shuma e shpërndarë e subvencioneve. Ekspertiza e kaluar ka shkuar me çmime të nënvlerësuara, prandaj në krahasim me ekspertizën tash kanë kundërthënie mes vete”, deklaroi eksperti Asllanaj.

Sipas ekspertizës tonë, është vërtetuar se në periudhën 2008-2012, buxheti i komunës nuk është dëmtuar ashtu siç përcaktohet në akuzë.

Eksperti Rrustem Asllanaj, tregoi se shumë fatura kanë pasur të specifikuara mallin pa çmim, por që shuma që është dëmtuar komuna është një shumë simbolike.

“Në dokumentacionin e lëndës nuk kemi gjetur ndonjë provë që të akuzuarit kanë pasur përfitime personale”, thotë eksperti Rrustem Asllanaj.

Eksperti Rrustem Asllanaj, tha se shpërndarja e subvencioneve është e liruar prej procedurës së Prokurorimit Publik dhe se këtu ka munguar një marrëveshje me dyqanin e të akuzuarit Veli Hajdaraga, pra në rastin konkret ka munguar kontrata me dyqanin “Union-VL”.

“Detyrat e kryetarit të komunës realizohen edhe me ndihmën e drejtorëve dhe se këshilli i drejtorëve përfaqëson organin kryesor vendim-marrës në realizimin e detyrave të komunës, e poashtu kryetari delegon detyra dhe përgjegjësi tek bashkëpunëtorët e tij”, deklaroi Asllanaj.

Sipas ekspertit, në ekspertizën e bërë nga ai dhe dy bashkëpunëtorë të tij, thuhet se i akuzuari Gani Rama nuk kishte asnjë përgjegjësi për subvencione, sepse procedura ishte zhvilluar nga bordi i drejtorëvë, të cilët e kanë pasur mbikëqyrsin e komisionit dhe asnjë nënshkrim i tij nuk ka qenë në raporte.

Ndërsa, për shumën e shpangies nga tatimi për të cilën akuzohet Veli Hajdaraga, eksperti Rrustem Asllanaj tha se ATK-ja ka gabuar në shumën e përgjithshme dhe se e njëjta duhet të jetë 10 mijë euro më e vogël.

“Ekspertiza e kaluar ka dalë me një shumë se mes ndarjes dhe shpërndarjes së subvencioneve ka një dallim në vlerë prej 60 mijë eurove, ndërsa ne kemi ardhë në përfundim se një vlerësim i tillë është ardhë mbi bazën që janë përdorur çmime më të ulëta. Nisur nga kjo ne nuk kemi mundur të bëjmë llogaritje, e gjithë qëllimi është se subvencionet e ndara a janë shpërndarë në të njëjtën shumë”, deklaroi eksperti Rrustem Asllanaj.

Në fund ai shtoi se gjithkund në Kosovë ndodh kjo shpërndarje e subvencioneve, ku ndonjëri që nuk e punon tokën, athëherë ato subvencione i merr personi tjetër në vend të tij.

Seanca e radhës, u caktua më datën 4 dhe 5 shkurt, për lexim të provave dhe marrjen në pyetje të të akuzuarve.

Dje ishte shtyrë seanca për shkak të kërkesës së avokatit Arianit Koci, i cili e mbron të akuzuarin Pal Lekaj.

29 qershori ishte data e mbajtjes së seancës së fundit, në të cilën seancë ishte propozuar që të bëhej edhe një ekspertizë e re financiare.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit të subvencioneve dhe shmangies nga tatimi.

Poashtu, Rama po akuzohet për 218 mijë euro për shpërndarjen e subvencioneve.

Prokuroria Speciale, po akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pas asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave publike dhe rregullat e përcaktuara.

Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët është 218,956.67 euro, thuhet në aktakuzë.

Në këtë rast, ish-kryetari i komunës se Gjakovës tash ministër i Infrastrukturës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e drejtorisë për bujqësi Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangje nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrur Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikmëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezentuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Ky rast është shënjestruar për liberalizim të vizave.