Nis gjykimi i tretë ndaj ish-Komandantit të Stacionit Policor në Novobërdë për 5 metra dru

Ka nisur për të tretën herë nga fillimi shqyrtimi gjyqësor ndaj ish Komandantit të Stacionit Policor në Novobërdë, Shukri Aliu.

Aliu ka dalë sërish para gjykatësit në Gjilan pasi ishte dënuar dy herë nga Gjykata.

Në muajin dhjetor 2018, Aliu ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 6 muaj burgim me kusht dhe 1,500 euro gjobë, por këtë çështje Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim. Pas rigjykimit Aliu në dhjetor të vitit 2019, prapë ishte dënuar nga Gjykata me dënimin e njëjtë sikurse në gjykimin e parë.

Gjykata e Apelit përseri më 29 maj të këtij viti rastin e ka kthyer në rigjykim.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari Bozho Deniq, i cili tha se mbetet tërësisht pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin e kaluar.

“Deklaratën që e kam dhënë në Prokurori nuk e mbështes pasi kam qenë në presion sepse Prokuroria gabimisht e ka ftuar edhe babain tim për intervistim. Unë Shukriut ja kam dërgu 4 metra dru njëherë dhe 4 metra në herën tjetër. Për këto dru, gruaja e Shukriut mi ka dhënë 280 euro kur i kam dërguar drutë për herën e dytë. Unë asnjëherë nuk i kam dërguar dru pa pagesë Shukriut nga askush”, tha dëshmitari Bozho.

Sipas Prokurorisë, në muajin shtator 2017, i akuzuari Shukri Aliu, në cilësi të komandantit të stacionit policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë (dru për ngrohje), në sasi rreth 5 metra kub, me kusht moszbulimin e veprës penale të vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Shukri Aliu gjithashtu akuzohet se në muajin korrik 2017, përmes telefonit kishte komunikuar me të pandehurin Ivan Dikiq, dhe nga i njëjti kishte mësuar se pa leje është duke poseduar armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Tutje sipas aktakuzës, Aliu nga i pandehuri Ivan Dikiq mëson se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç edhe pse si person zyrtar, komandant i stacionit policor në Novobërdë, mëson për këto dy vepra, të njëjtat nuk i kishte lajmëruar.

Më 6 mars 2018, ndaj të pandehurit Ivan Dikiq, për dy vepra penale – armëmbajtje pa leje dhe importi-eksporti i armëve dhe materialeve plasëse, ishte shqiptuar dënim prej një viti burgim me kusht pasi kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Për shkak të propozimit për dëgjimin e disa deshmitarëve, seanca e sotme u shty për muajin nëntor.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast 

Ish-komandanti i Stacionit të Policisë në Novobërdë shpallet fajtor nga Gjykata