Ish-komandanti i Stacionit të Policisë në Novobërdë shpallet fajtor nga Gjykata

 

 

Vargut të zyrtarëve publik të dënuar nga Gjykata e Gjilanit ju shtua edhe ish-komandanti Stacionit Policor në Novobërdë Shukri Aliu, i cili u dënua me 6 muaj burg dhe 1,500 euro gjobë.

Pas kthimit të lëndës në rigjykim nga Apeli, prokurori i shtetit prapë pati kërkuar që i akuzuari të dënohet pasi që gjendja faktike ishte vërtetuar.

Prokurori Arben Kadriu kishte deklaruar se qëndron pranë fjalës së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

“Të gjitha pretendimet e Prokurorisë janë të shkruara në detaje në shkresën e dorëzuar në Gjykatë dhe te mbrojtësi”, pati thënë prokurori Kadriu.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Avokati Ymer Huruglica, në fjalën e tij përfundimtare pati thënë se: “Në asnjë rast edhe pas rigjykimit nuk është vërtetuar se i mbrojturi im i ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet. Kërkoj nga gjykata, që të mbrojturin tim ta lirojë nga akuza, përkatësisht ndaj tij të merret aktgjykim lirues”, thoshte Avokati Huruglica.

Fjalën e Avokatit të tij e kishte përkrahur edhe i akuzuari duke deklaruar se: “Nuk i kam kryer veprat penale për të cilat akuzohem”.

Kujtojmë se ky proces i serishëm gjyqësor ishte urdhëruar nga Gjykata e Apelit me aktvendimin e saj të datës 26 shkurt 2019, për shkak te shkeljeve procedurale.

Sipas Prokurorisë, në muajin shtator 2017, i akuzuari Shukri Aliu, në cilësi të personit zyrtar-komandant i stacionit policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë (dru për ngrohje), në sasi rreth 5 metra kub, me kusht moszbulimin (e veprës penale), të vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Shukri Aliu, gjithashtu akuzohej se në muajin korrik 2017, përmes telefonit komunikon me të pandehurin Ivan Dikiq, dhe nga i njëjti mëson se pa leje është duke poseduar armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Tutje sipas aktakuzës, Aliu nga i pandehuri Ivan Dikiq mëson se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç edhe pse si person zyrtar, komandant i stacionit policor në Novobërdë, mëson për këto dy vepra, të njëjtat nuk i lajmëron.

Kujtojmë se Kallxo.com në vazhdimësi kishte raportuar për këtë rast.