Haxhi Shala - Foto: Facebook

Nesër seanca në Gjykatën Speciale për Haxhi Shalën, këto janë akuzat që rëndojnë ndaj tij

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, pritet të paraqitet në Gjykatën Speciale në Hagë në një seancë gjyqësore që është caktuar të zhvillohet nesër nga ora 14:00.

Shala po përballet me akuza për frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit me dëshmitarin 1.

Në të thuhet gjithashtu se me udhëzim të Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Haxhi Shala u arrestua dje, më 11 dhjetor në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimit, urdhrit për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara.

Shala u transferua në objektin e paraburgimit në Hagë sot.

Gjykatësi i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023.

Sa i përket kontekstit të çështjes, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan në Kosovë më 5 tetor dhe në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023 të dy u deklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.