Foto: Kallxo.com

Naser Kelmendi në rigjykim për trafikim të heroinës nga Bosnja në Asutri

I akuzuari për trafikim të heroinës, Naser Kelmendi, ka dalë sot para gjyqit në Prishtinë për një vepër penale të cilën dyshohet se e ka kryer në Bosnjë e Hercegovinë.

“Asesi nuk e pranoj fajësinë, kjo vepër as nuk qëndron as nuk ka qëndruar kurrë”, tha Kelmendi kur u ngrit për t’u deklaruar për akuzën për të cilën ngarkohet.

Ndërsa për aktakuzë Kelmendi tha se “kjo është e fabrikume, në bazë të dëshmisë së një dëshmitari të dënuar me 26 vjet burgim”.

Sipas pikës 8 të aktakuzës, pasi dëshmitari K2 nuk kishte mundur t’ia kthente shumën e të hollave prej 11 mijë euro me kamatë, Naser Kelmendi e kishte urdhëruar atë që të marrë një veturë VË-Cady në Tuzëll të Bosnjës deri në Austri për të sjellë në Bosnjë një mbulesë të rimorkios si këmbim për t’ia hequr një pjesë të kamatës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi K2 kishte marrë veturën, siç ishte urdhëruar nga Naser Kelmendi kur kishte mbërritur në Austri e kishte lënë veturën në një fabrikë. Me t’u kthyer gjatë natës në fabrikën ku e kishte lënë veturën, ai kishte parë dy meshkuj që shkarkonin një sasi të madhe të heroinës të mbështjellë në formë të kubit të nxjerra nga mbulesa e brendshme e tavanit të veturës.

Sipas aktakuzës, K2 kishte shpjeguar se ishte i sigurt “se sasia e drogës ishte shumë më e madhe se ajo që e kisha transportuar nga Turqia”.

“Meshkujt që po i shkarkonin më thanë se ajo ishte heroinë”, kishte thënë ai, sipas aktakuzës.

Prokurorja e rastit, Merita Rugova, tha në seancë se qëndron prapa asaj që e kishte thënë më herët dhe se nuk ka çka të shtojë.

Ndërsa mbrojtësi i Naser Kelmendit, avokati Besnik Berisha, u deklarua se “gjatë këtij rigjykimi do të  provohet se aktgjykimi i rrëzuar nga Gjykata e Apelit ishte një kompromis për të kënaq prokurorinë e deri diku për ta ndarë drejtësinë”.

“Ashtu siç janë rrëzuar 9 pikat e aktakuzës, përveç kësaj që jemi sot këtu, do të konfirmohet se edhe kjo pikë nuk bazohet në  asnjë provë të vetme sado që do të vonojë një ditë gjykata duhet ta rrëzojë”, vazhdoi avokati Berisha.

Gjykata vendosi përsëri ta ballafaqojë Naser Kelmendin me dëshmitarin K2 sado që pati mjaft kundërshtime nga ana e avokatit Besnik Berisha rreth kredibilitetit të këtij dëshmitari duke deklaruar se K2 si dëshmitar bashkëpunuës, është  kriminel  ordiner, i dënuar për vrasje, krim të organizuar e  trafikim me narkotikë’’.

Gjykata do t’i drejtohet me një shkresë në Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës me kërkesën që t’i mundësohet realizimi i një videononference me dëshmitarin K2.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 26  dhjetor.

Më 2 gusht 2018, Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim për shkak të vendimit mbi dënimin.

Gjykata në Prishtinë ka dënuar Naser Kelmendin me 6 vjet burg në fund të procesit gjyqësor ndaj tij më 1 shkurt 2018.

Ai është gjetur fajtor në pikën e akuzës për posedim me qëllim të shpërndarjes së narkotikëve” ndërsa është shpallur i pafajshëm në tetë pika të tjera, përfshirë edhe ato për krim të organizuar dhe vrasje.

Naser Kelmendi akuzohej për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.