Gjakovë, pronari i furrës nuk kërkon kompensim nga i akuzuari për grabitje

L.H, pronar i një furre që ishte cak i grabitjes në Gjakovë, ka thënë se nuk dëshiron ta ndjekë penalisht të akuzuarin për këtë grabitje, e as nuk kërkon kompensim nga ai.

Burri me inicialet S.S po akuzohet se më 22 shkurt të vitit 2019 kishte hyrë në furrën e bukës  i kamofluar me një maskë dhe e kishte marrë kasën e furrës.

Aktakuza shpjegon se në ato momente e dëmtuara F.M e cila ishte duke punuar, kishte filluar të bërtasë dhe këto britma i kishte dëgjuar babai i saj.

Sipas prokurorisë, më pas i dëmtuari L.M kishte filluar kacafytjen me të akuzuarin, i cili edhe e kishte kanosur me thikë, ia kishte marrë një telefon Samsung dhe kishte ikur.

Gjykata e Gjakovës, në gusht të vitit 2019 e kishte dënuar të akuzuarinme 1 vit e gjysmë burg dhe 150 euro gjobë.

Më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Sot në Gjykatë, i dëmtuari L.M tha se nuk i bashkangjitet ndjekjes penale dhe se as nuk kërkon kompenzim dëmi.

Ndërsa, eksperti i psikiatrisë Ajet Bunjaku, tregoi se i akuzuari S.S vuan nga një ç’rregullim mendor i quajtur ç’rregullim personaliteti tip asocial.

“Sjelljet antisociale bëjnë që këta persona të duken jo-normalë. Ata janë manipulativë, abuzues ndaj partnerit, fëmijës së tyre apo rrethit”- deklaroi eksperti Ajet Bunjaku.

Eksperti Bunjaku, tha se llogaritshmëria e tij në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë e zvogëluar.

Më pas, i akuzuari S.S nuk pranoi të japë mbrojtjen e tij. Kur gjykatësi ia dha fjalën, ai rrinte në heshtje.

Kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu bashkë me anëtarët Manduhije Syla dhe Myfera Hoxha, caktuan datën 20 tetor për dhënien e fjalës përfundimtare.