Avokatët e Thaçit në Hagë kërkojnë të tërhiqen për shkak të mospagesës, reagon Ministria e Drejtësisë

Më një parashtresë të bërë më 19 janar të këtij viti, avokatët Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe Ekipi mbështetës i Greenberg, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja për Hashim Thaçin, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale.

Në parashtresën e bërë thuhet se Thaçi nuk ka arritur të përmbushë detyrimet financiare ndaj tyre.

Në anën tjetër Ministria e Drejtësisë doli me një njoftim në Facebook për këtë çështje, duke thënë se Ministria ka kryer të gjitha obligimet lidhur me pagesën apo kompensimin e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi.

Për më shumë, sipas Ministrisë vetëm për vitin 2023, kjo ministri ka realizuar pagesa për mbrojtësit e tij në shumën prej 1,371,800.00 Euro.

Një njoftim janë ofruar të dhëna lidhur me të gjitha pagesat që janë bërë ndër vite, nga viti 2020 dhe shumën totale për mbrojtjen e Thaçit, e cila arrin vlerën mbi 3 milionë euro.

“Pagesat për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë realizuar për vitet 2020, 2021, 2022 dhe 2023. Për vitin 2020, është realizuar pagesë prej 83,107.41 Euro, për vitin 2021 është realizuar pagesë prej 1,114,901.00 Euro, për vitin 2022 pagesa është realizuar në shumën prej 996,600.00 Euro, dhe për vitin 2023 – është realizuar pagesë në shumën prej 1,371,800.00 Euro. Për të gjitha vitet, shuma e pagesës për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi, është 3,566,401.41 Euro” – thuhet në njoftimin e Ministrisë në Facebook.

Tutje, është sqaruar në këtë njoftim se Ministria realizon pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, kurse për avokatët tjerë të cilët angazhohen nga Thaçi, Ministria nuk mban përgjegjësi për realizimin e pagesave.

“Aktualisht, Ministria e Drejtësisë ka Marrëveshje me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, të cilit në përputhje me Marrëveshjen, i realizon të gjitha pagesat me kohë. Ndërsa për avokatët tjerë potencial, qoftë edhe privat, të cilët angazhohen nga z. Thaçi, Ministria e Drejtësisë nuk ka Marrëveshje dhe nuk mbanë përgjegjësi për realizmin e pagesave” – thuhet tutje.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura pretendohet se u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.