Avokati Gregory Keohe

Mbrojtja e Thaçit thotë se ai nuk ishte pyetur kur u ndryshua komandanti i përgjithshëm i UÇK-së

Gjykimi kundër katër ish-krerëve të UÇK-së sot po vijon me deklaratat hyrëse nga ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Katër ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gregory Keohe, mbrojtës i ish-presidentit Thaçi ka kundërshtuar deklaratat hyrëse të ZPS.

Sipas tij nuk u përshkrua konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.

“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës”- tha Keohe.

Sipas tij Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individ, por i hedh poshtë akuzat se krimet janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja.

“Ai e kundërshton pretendimin e ZPS se janë kryer në bazë të një politike të Shtabit të Përgjithshëm”- deklaroi avokati.

Avokati më tej ka kundërshtuar edhe deklarimin e ZPS për ‘ndërmarrje kriminale’.

“ZPS kërkon që t’iu thotë juve se Thaçi ka drejtuar ndonjë ‘ndërmarrje kriminale të madhe’ duke sunduar Kosovën. Nga viti ‘98 UÇK ishte grup vullnetar që luftonin për ekzistencën e tyre”- tha Keohe.

Ajo që nuk bëtë gjatë katër orëve ishte kontesti për komandat dhe kontrollin.

“Kolaboracionistët konsideroheshin rrezik. I vetmi rrezik ishin policia serbe në bashkëpunim me forcat ushtarake”- ka thënë ai.

Avokati Gregori Keho më tej ka cekur se sipas ZPS Thaçi akuzohet se ka drejtuar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, por sipas Keehe komandantët lokalë kishin ndryshuar komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, në kohën kur Thaçi ishte në Rambuje.

“ZPS kërkon që t’iu thotë juve se Thaçi ka drejtuar një “ndërmarrje kriminale të madhe” duke sunduar Kosovën. Komandantët lokalë e ndryshuan komandantin e përgjithshëm, pa marrë mendim nga Thaçi e Azem Syla, që gjendeshin në Rambuje. Pushteti ishte në dorën e nivelit lokale”- u shpreh ai.