Këta janë kandidatët për kryeprokuror të Prishtinës dhe të Prokurorisë Speciale

Këshilli Prokurorial i Kosovës sot në mbledhjen e jashtëzakonshme, ka konfirmuar listat e kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës kanë aplikuar prokurorët Zejnullah Gashi dhe Fitore Sadikaj.

Ndërkaq, prokurori Zejnullah Gashi u konfirmua si kandidati i vetëm për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

KPK mbylli takimin lidhur me pikën e rendit të ditës, që kishte të bënte me kundërshtimin e prokurores Fitore Sadikaj lidhur me vendimin e kryesuesit të Këshillit për moskonfirmimin e statusit të saj si kandidate për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës.

Gjatë mbledhjes KPK po ashtu ka konfirmuar listën e kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Kandidatët e konfirmuar janë: Blerim Isufaj, Valdet Gashi, Atdhe Dema dhe Naim Abazi.

Në takim u tha se në bazë të rregullores përkitazi me përzgjedhjen e kryeprokurorëve, kryesuesi i KPK-së bashkë me sekretariatin e KPK-së kanë vlerësuar aplikacionet e secilit kandidatë për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Prokurorja Florije Shamolli nuk i ka plotësuar kriteret sipas rregullores dhe e njëjta nuk ka parashtruar ankesë.

Në këtë mënyrë me miratimin e listave të kandidatëve nga KPK, për pozitat e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore dhe Speciale të Prishtinës hapet rruga për procesin e emërimit që kalon edhe nëpër disa faza sipas rregullores.