Foto: Ilustrim

Kërkohet arrest shtëpiak për doktorin që dyshohet se kërkoi para nga një veteran i UÇK-së

Një doktor në Klinikën e Ortopedisë është arrestuar gjatë ditës së djeshme brenda objektit të klinikës nën dyshimin për marrje ryshfeti.

“Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me aktvendim të prokurorit ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet S. S., mjek në ShSKUK, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – Marrja e ryshfetit”, ka njoftuar Prokuroria në Prishtinë.

Mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Avni Leci për KALLXO.com ka konfirmuar se ndaj të mbrojturit të tij, Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak.

I gjithë hetimi dhe arrestimi është bërë pas raportimit të KALLXO.com.

Fillimisht në KALLXO.com ishte paraqitur viktima i cili pretendonte se një doktor po i kërkonte para për t`ia caktuar masën e invaliditetit në mënyrë që më pas viktima të merrte pension.

KALLXO.com pas pranimit të këtij informacioni kishte njoftuar organet e rendit, gjegjësisht policinë dhe prokurorinë ku për pak kohë është formuar edhe ekipi hetimor i cili gjatë ditës së djeshme kreu edhe arrestimin e doktorit të dyshuar.

KALLXO.com do të ju sjell edhe pamje ekskluzive të hetimit, intervistimit të viktimës dhe arrestimin e doktorit.