Jetish Maloku, Kryeprokuror i Gjilanit. Foto: Kallxo.com

Ish-kryeprokurori i Gjilanit zgjedhet anëtar i Këshillit Prokurorial

Jetish Maloku, prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, është zgjedhur anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Deri tani, Maloku ka qenë Kryeprokuror në Gjilan.

Kundër kandidat i tij për pozitën e anëtarit në KPK ishte prokurorja Leonora Kadriu.

Në praninë e Komisionit zgjedhor të udhëhequr nga Agron Beka, anëtar i KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike, procesi i votimit zgjati për  30 minuta ku votuan 15 prokurorë.

Në numërimin e votave morën pjesë 2 kundërkandidatët.

Jetish Maloku fitoi me 14 vota ndërsa prokurorja Leonora Kadriu kishte marrë vetëm një votë.

Jetish Maloku do të jetë anëtar i KPK-së me një mandat 5 vjeçar pa të drejtë rizgjedhje.

Ish-kryeprokurori Maloku në qershor të këtij viti ka deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsionit pasuri të paluajtshme në vlerë prej 215 mijë euro.

Ai ka deklaruar shtëpinë në vlerë prej 100 mijë euro, banesë 60 mijë euro, pllac në vlerë prej 45 mijë euro dhe tokë e mal në vlerë prej 10 mijë euro.

Ndërsa ka deklaruar kredi bankare në shumë prej 43 mijë e 900 euro.

Prokurori Maloku në emër të pagës mujore realizon të hyra në shumë prej 2 mijë e 369 euro ndërsa në emër të trajnimeve dhe mëditjeve realizon të hyra shumë prej 1 mijë e 558 euro.