Foto Arkiv: KALLXO.com

I erdhi fundi gjykimit për rrahjen me stupc në një fshat të Vitisë

Skender Hasani, Muhabi Latifi, Shukri Latifi dhe Ekrem Azizi janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë për vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe lëndim të rëndë trupor.

Shqyrtimi në këtë çështje nisi nga fillimi për shkak se nga fillimi i tijë kishin kaluar më tepër se 3 muaj për shkak të pandemisë COVID-19.

Tutje në seancë u propozua që të lexohen procesverbalet nga seancat e kaluara në mënyrë qe mos të përsëriten provat tashmë të njohura.

Në vazhdim u dha edhe fjala përfundimtare e palëve ku të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kërkuan nga Gjykata lirimin nga akuza, kurse Prokurori kërkoi dënimin e të akuzuarve pasi, sipas tij, veprat penale janë vërtetuar.

Vendimi lidhur me këtë çështje do të bëhet më 24 shtator.

Sipas Prokurorisë, Skender Hasani në muajin mars të vitit 2011, në Viti, ka tentuar ta privojë nga jeta të akuzuarin tjetër, Ekrem Azizi.

Aktakuza sqaron se Skender Hasani fillimisht e kishte goditur me ‘stupc’ Ekrem Azizin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, të njëjtin e kishte goditur dy herë në kofshë dhe në bark me revolen të cilën e posedonte pa leje.

Për shkak të lëndimeve të marra, ai ishte detyruar të kërkojë ndihmë në QKUK.

Ndërsa, të akuzuarit Muhabi dhe Shukri Latifi, sipas aktakuzës në bashkëveprim gjersa i akuzuari Ekrem Azizi ishte duke ikur, të njëjtit e godasin me grushte, ‘stupca’ dhe me boks të hekurt në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I akuzuari tjetër Ekrem Azizi akuzohet se me armë të zjarrit ka tentuar t’i privojë nga jeta të akuzuarit Skender dhe Muhabi Latifi duke i goditur që të dy me nga një predhë në këmbë dhe në gjoks.

E tërë kjo ngjarje mes të akuzuarve kishte ndodhur më 31 mars të vitit 2011, në afërsi të fshatit Smirë, në rrugën rajonale Viti-Gërlicë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje.