Foto Arkiv: KALLXO.com

Gjykimi për tentim vrasjen e ndodhur para 9 viteve, të akuzuarit deklarohen rreth fajësisë

Skender Hasani, Muhabi Latifi, Shukri Latifi dhe Ekrem Azizi janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë për vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe lëndim i rëndë trupor.

Të akuzuarit në seancën e sotme duke dhënë mbrojtjen e tyre u deklaruan të pafajshëm në disa pika të aktakuzës.

I akuzuari Skender Hasani tha se e pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje por jo edhe për vrasje në tentativë.

“Unë punoj në treg me kafshë dhe ditën kur ka ndodhur rasti kam qenë bash në treg. Unë dhe familja ime kurrë nuk kemi pasur probleme me Ekremin, kemi pas hyrje-dalje mes familjeve gjithmonë. Papritmas e kam dëgju një zë i cili më ka fyer dhe ka gjuajtur me revole në drejtim timin. Më ka goditur dy herë me fishek, mandej e kam nxjerr edhe unë revolen time dhe kam gjujtë në drejtim të tij dhe e kam godit një herë”, tha i akuzuari.

Kurse i akuzuari Muhabi Latifi, i cili akuzohet për veprën penale lëndim i rëndë trupor, tha se nuk e pranon veprën penale që i vihet në barrë.

“Nuk e pranoj këtë vepër pasi që nuk e kam kryer. Ditën kur ka ndodh rasti unë kam shku në treg të kafshëve bashkë me djalin tim 7 vjeçar. Një person që ka qëllu aty më ka thënë: ‘Vrapo se dikush e ka gjujtë me armë atë të juvin’. Kur jam afru e kam pa Skenderin dhe ai më ka thënë se e ka plagosur Ekremi”, tha i akuzuari.

Në vazhdim u dëgjua i akuzuari për lëndim të rëndë trupor, Shukri Latifi, i cili tha se nuk e pranon fajësinë për veprën penale pasi që, siç tha, nuk e kam kryer.

“Ditën kur ka ndodhur rasti me babanë tim kemi shkuar në treg të kafshëve me traktor, kemi pasur me shit disa kafshë. Kur jam afruar e kam pa me sy të mi se Ekremi e ka gjujtë me revole Muhabiun dhe e ka plagosur. Nuk muj m’e dit se pse jam në këtë aktakuzë. Nuk e di se çfarë baze kanë pasë kur më kanë akuzu. Kjo akuzë u bë shkak dhe nuk ka mundur t’i regjistroj studimet. Mu ka ba e padrejtë pasi që ky gjykim ka zgjatur shumë pa asnjë arsye”, theksoi i akuzuari.

Sipas Prokurorisë, Skender Hasani në muajin mars të vitit 2011, në Viti, ka tentuar ta privojë nga jeta të akuzuarin tjetër Ekrem Azizi.

Aktakuza sqaron se Skender Hasani  fillimisht e kishte goditur me ‘stupc’ Ekrem Azizin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, të njëjtin e godet dy herë me revole (që e kishte poseduar pa leje) në kofshë dhe në bark, ku për shkak të lëndimeve të marra detyrohet të kërkojë ndihmë në QKUK.

Ndërsa, të akuzuarit Muhabi dhe Shukri Latifi, sipas aktakuzës në bashkëveprim gjersa i akuzuari Ekrem ishte duke ikur, të njëjtit e godasin me grushte, ‘stupca’ dhe me boks të hekurt në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I akuzuari tjetër Ekrem Azizi akuzohet se me armë të zjarrit ka tentuar t’i privojë nga jeta të akuzuarit Skender dhe Muhabi Latifi duke i goditur që të dy me nga një predhë në këmbë dhe në gjoks.

E tërë kjo ngjarje mes të akuzuarve kishte ndodhur më 31 mars të vitit 2011, në afërsi të fshatit Smirë, në rrugën rajonale Viti-Gërlicë.

Per shkak të përfundimit të orarit të punës, Gjykata nuk arriti që ta dëgjojë edhe versionin e ngjarjes nga i akuzuari Ekrem Azizi, andaj seanca e sotme u shty për më 6 shkurt.