I dyshuari për djegien e vetura në Zubin Potok sillet i prangosur në gjykatore

Millovan Bozoviq është shoqëruar nga Policia e Kosovës për në Gjykatën e Prishtinës ku sot është caktuar të mbahet seanca fillestare në gjykimin kundër tij për shkak të dyshimit se ai ka qenë pjesë e turmës që kryen vepra penale dhe huliganizëm. I njëjti besohet se ka djegur veturat e dy qytetarëve të tjerë.

Prokuroria Speciale, Departamenti për Terrorizëm, respektivisht prokurori i shtetit Burim Çerkini, ka ngritur aktakuzë kundër Millovan Bozoviqit, i lindur në Zubin Potok. Ai po akuzohet se më datën 30 mars 2023 në qytetin e tij të lindjes kishte marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më shumë se 8 personave.

Kjo turmë sipas aktakuzës me veprime të përbashkëta kanë kryer një apo më shumë vepra të rënda penale, përkatësisht: Zjarrëvënien – e paraparë me nenin 322 par. 3 të Kodit Penal dhe Shkaktimin e Rrezikut të përgjithshëm – paraparë me 356 të Kodit Penal.

Prokuroria përshkruan se në orët e mëngjesit në rrugën “Luka Pridvorjanina” pjesëtarët e turmës kanë djegur dy vetura të cilat mbanin targat e regjistrimit RKS, prona të V. K. Dhe D. S.

Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 1 prill 2023 për shkak se me veprimet e kryera dyshohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” të parapara me nenin 404 paragrafi 1 të Kodit Penale të Kosovës.

Sipas aktakuzës ai do të gjindet në paraburgim deri më datën 29 tetor 2023.