Zijadin Berisha, i akuzuar për terrorizëm

I akuzuari për terrorizëm pranon fajësinë në gjykatë

Është paraqitur para trupit gjykues i akuzuari për terrorizëm, Zijadin Berisha i cili sipas prokurorisë kishte hyrë në Siri dhe i ishte bashkuar grupit terrorist ISIS në vitin 2013, e që kishte qëndruar deri në janar të vitit 2014.

Këto akuza ai i pranoi në seancën e së martës, duke shprehur pendesën e thellë dhe premtimin se nuk do ta përsërisë veprën penale.

Trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri kryetar, Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi anëtarë, aprovuan këtë pranim të fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Lidhur me pranimin e fajësisë, avokatja e të akuzuarit, Albana Kelmendi tha se ky pranim i fajësisë është bërë në konsultë të mjaftueshme dhe me vullnetin e lirë si dhe kërkoi dënim më të butë për klientin e saj.

Edhe prokurorja e çështjes Fikrije Fejzullahu nuk shprehu kundërshtime lidhur me pranimin e fajësisë për të akuzuarin, duke shtuar se i njëjti që nga fillimi i procedurës ka pasur mbrojtës dhe ka pasur mundësi të konsultimit të mjaftueshëm në njërën anë dhe në anën tjetër sipas saj ky pranim i fajësisë është në përputhje me provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës.

Në fjalën e saj përfundimtare ajo kërkoi nga trupi gjykues që të shpallë fajtor të pandehurin dhe me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të ketë parasysh edhe rrethanat rënduese edhe ato lehtësuese.

Si rrethana rënduese ajo ceku rrezikshmërinë e këtyre veprave penale në kohën e kryerjes së tyre e cila tha se ishte e madhe, e shndërruar në dukuri, si dhe niveli i lartë i përgjegjësisë penale të të pandehurit.

Ndërkaq, si rrethana lehtesuese ajo kërkoi të merren parasysh; pendimi i tij, koha relativisht e gjatë e kaluar prej momentit të kryerjes së veprës penale, dhe sjellja e tij pas kryerjes se tyre.

Ajo shtoi se prokuroria nuk ka prova se i njëjti pas kësaj periudhe kishte rënë kundërshtim me ligjin.

Rrethanat lehtësuese kërkoi nga trupi gjykues që t’i ketë parasysh edhe avokatja mbrojtëse e të pandehurit.

Përveç veprës penale të organizmit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste, i akuzuari ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes së paautorizuar.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhet se me rastin e bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike AK-47, pushkë të gjuetisë, 60 fishekë të pushkës automatike 25 fishekë për pushkë të gjuetisë, një uniformë ushtarake dhe një radiolidhje.

Shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin pritet të mbahet më 28 korrik.