I akuzuari për dhunë në familje e quan absurd vendimin e Gjykatës që të mos i afrohet gruas

Agron Demiri, i akuzuar për armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe mos përfillje të Gjykatës, ka dalur sot para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë.

Prokuroria e ngarkon Demirin se me datën 15 janar 2020, ka bartur pa leje armën e tipit “E-Col Jackal”, e cila edhe i është konfiskuar.

Tutje sipas aktit akuzues, Demiri të njëjtën ditë ka ushtruar dhunë psikologjike në familje ndaj bashkëshortes se tij, duke shkaktuar fjalosje verbale për shkak të tradhëtisë bashkëshortore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Demiri ka shpërfillur një vendim të Gjykatës së Vitisë, me të cilin i ishte ndaluar që t`i afrohej bashkëshortes se tij dhe mos ta shqetësonte atë.

Në seancën sotme pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari u deklarua për fajësinë.

Demiri tha se e pranon fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, por jo edhe sipas akuzës, ashtu siç e ngarkon Prokuroria.

“E pranoj fajësinë për armëmbajtje pa leje, por nuk e pranoj fajësinë për dhunë në familje dhe mos bindje ndaj Gjykatës. Nuk e di se si ka mundur Gjykata që të ma ndaloj t`i afrohem gruas time deri sa unë me të kam jetuar me një shtëpi. Me gruan e kemi ndarë një shtëpi, një dhomë dhe një shtrat, nuk e pranoj fajësinë për mosbindje ndaj Gjykatës”, tha i akuzuari Agron Demiri.

Kurse Prokurori tha se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i akuzuari pasi që e ka pranuar fajësinë pa asnjë ndikim.

“Ky pranim edhe për ne si Prokurori është i arsyetuar dhe i mbështetur në ligj, si dhe në shkresat e lëndës me të cilat disponojmë”, tha Prokurori Sadiku.

Mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Malsore Halili, tha se e mbështet veprimin e klientit të sajë lidhur me dispozitivin e parë.

“Pranimin e fajësisë për dispozitivin e parë e ka bërë pasi është konsultuar me mua, kërkoj nga Gjykata që me rastin e llojit dhe lartësisë së dënimit të ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese për klientin tim. Sa i përket dy veprave tjera që e rendojnë klientin tim, e mbështes atë qëndrim pasi që konsideroj se nuk ka prova për atë me të cilën akuzohet”, tha Avokatja Halili.

Tutje Avokatja Halili i propozoj Gjykatës që masa e paraburgimit për të akuzuarin të ndërpritet.

“Kanë pushuar të gjitha arsyet për të cilat është caktuar paraburgimi. I mbrojturi im është me identitet të plotë, i dihet adresa dhe premton se do t`i përgjigjet ftesave të Gjykatës në çdo kohë”, tha avokatja Malsore Halili.

Në fund të seancës gjykatësi Agim Ademi, tha se lidhur me paraburgimin do të vendoset me vendim të veçantë, pasi që nesër do t`i skadojë paraburgimi të akuzuarit.

Seanca e sotme fillestare u shtye, për t`i lënë mundësi të akuzuarit që të bëjë kundërshtimin e aktakuzës.