Gjyqtarët në pushim, dështon gjykimi për grabitje

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit për grabitje, Berat Shala për shkak të mungesës së gjyqtarëve.

Kryetarja e  trupit gjykues Nushe Kukaj-Mekaj tha se anëtarët e trupit gjykues ishin në pushim vjetor.

Përbërja e trupit gjykues në këtë rast kishte ndryshuar për shkak se disa gjyqtarë ishin avancuar në Departamentin Special.

Të pranishëm nuk ishin as dëshmitarët të cilët ishin ftuar në mënyrë të rregullt Skender Fazliu ,Naser Avdiu edhe Jonuz Gërguri.

Të akuzuar në rastin e grabitjes kishin qenë Rifat Imziu, Bekim Shala dhe Berat Shala. Për këtë të fundit ishte veçuar procedura.

Rifat Imziu e Bekim Shala në ndërkohë ishin shpallur të pafajshëm, vendim ky i cili ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Pas kësaj, i akuzuari Berat Shala ishte paraqitur vullnetarisht për tu gjykuar.

Prokurorja e rastit, Shemsije Asllani tha se procedura ndaj këtij të pandehuri duhet të zhvillohet deri në fund.

Avokati i të pandehurit Sami Shala akuzoi prokuroren se “po e zvarrit procedurën”.

Asllani i tha se “nuk po e zvarris unë, është dashtë me ardh me kohë kur janë ardhur të tjerët.”

Pasi gjykata kishte liruar nga akuzat dy të pandehurit e tjerë, Berat Shala procedura ndaj të cilit ishte veçuar me kërkesën e Prokurorisë, ishte paraqitur vullnetarisht në Gjykatë për tu gjykuar për veprën të cilën ai dyshohet se e ka kryer në vitin 2007.

Aktakuza  e atëhershme thoshte se të akuzuarit së bashku me disa persona të panjohur në fshatin Bardh të Obiliqit, si anëtarë grupi dhe duke përdorur armë kanë përvetësuar pasuri të luajtshme të KEK-ut.

Sipas aktakuzës, në shiritin GD-3 të Mihjes sipërfaqësore, pas arritjes së marrëveshjes paraprake dy të pandehurit, nga afërsia prej rreth 5 metrave, e duke ia drejtuar tytat e automatikëve, rojtarit Agim Shalës, në pulltin GD-3 i kanë urdhëruar me ton kërcënues “rrëzohu, rrëzohu” e pasi e kanë detyruar që të shtrihet me gjoks për toke, ia kanë pranguar duart, me prangat e veta.

Pas kësaj, gjithnjë sipas aktakuzës, nën kërcënimin e automatikëve ata e kanë detyruar edhe të dëmtuarin tjetër – pulltistin Naser Avdiun që të shtrihet për toke dhe derisa këta të pandehur i kanë mbajtur nën shënjestër të armëve, i pandehuri tjetër me personat tjerë, me sharrë në dorë, kanë prerë 15 metra kabllo rryme të 6 KË në vlerë të papërcaktuar e pastaj e kanë tërhequr zvarrë dha janë arratisur në drejtim të fshatit Hade të Obiliqit.