Burgu, ilustrim

Gjykata vendos për Xhevdet Januzajn, i akuzuar për vrasje

Xhevdet Januzaj, i akuzuar për vrasjen e rëndë të G. K. i është ricilësuar vepra penale, nga vrasje e rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe ësht gjetur fajtor.

Januzaj është dënuar me 10 vite burgim për veprën penale tejkalim i mbrojtjes.

Ndërsa për armëmbajtje pa leje u dënua me gjobë prej 2000 euro, i cili duhet të paguhet në afat prej 3 muajsh.

Gjithashtu gjykata urdhëroi që Januzajt t`i konfiskohen armët të cila janë përdorur në kohën e kryerjes e veprës.

Trupi gjykues në përbërje prej Murat Hulaj – kryetar, dhe Nushe Kukaj- Mekaj dhe Arben Mustafaj – anëtarë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Xhevdet Januzaj me paramendim ka provokuar sulmin dhe ka privuar nga jeta G. K. për motive hakmarrjeje të paskrupullt.

Dosja thotë se qëllimi ka qenë hakmarrja lidhur me një sulm fizik që i kishte bërë djali i viktimës – E. K., i cili tashmë mban epitetin e palës së dëmtuar në këtë procedurë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, arsyeja e kësaj përleshjeje kishte qenë sulmi seksual që Xhevdet Januzaj kishte kryer kundër motrës së mitur të E. K.

Për këtë sulm, Januzaj ishte shpallur fajtor dhe i ishte shqiptuar dënim me burgim prej tre vjet e gjysmë.

Tutje dosa shtjellon se i akuzuari ishte pajisur me armën e tij me të cilën ka shkuar në Pejë për të vëzhguar lëvizjet e viktimës në afërsi të banesës së tij, e sipas fqinjëve ka pasur një sëpatë teksa e priste viktimën dhe familjarët e tij në një lokal të afërt.

Pas njoftimit të fqinjëve, viktima ka kërkuar mbrojtje nga ana e Policisë por që kërkesa e tillë ka qenë e pasuksesshme.

Më pas viktima kishte shkuar në lokalin ku ndodhej i akuzuari dhe e ka udhëzuar të largohet nga aty duke iu drejtuar me fjalët: “Çu ec prej këtuhit!”, me ç’rast i akuzuari nuk ishte bindur.

Kështu viktima ka nxjerrë armën e vet me të cilën tenton të shtijë mbi të akuzuarin por që e njëjta bllokohet.

Në këtë moment, i akuzuari me armën e tij e qëllon viktimën gjithsej trembëdhjetë herë duke e lënë të vdekur në vend.

Aktakuza thotë se kjo kishte ndodhur në intervalin kohor kur i akuzuari ishte liruar nga Gjykata e Pejës për t’u mbrojtur në liri gjatë procedurës gjyqësore lidhur me sulmin seksual.

Duke u bazuar në këtë përshkrim, Prokuroria e ka ngarkuar Xhevdet Januzajn me veprën penale të vrasjes së rëndë.

Po ashtu lidhur me mjetin e vrasjes, Prokuroria ka ngritur akuzë për përdorim të armës apo të mjetit të rrezikshëm.