Foto: Denis Sllovinja

Audio-inicizimet që shpërfaqën brishtësinë e shtetit

Pretendimet se një prokurore e Krimeve të Rënda e Prokurorisë së Prishtinës, Shemsije Asllani, ushtron ndikimin e saj në një rast, se ish- drejtori i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, mund të blejë mediume të caktuara në Kosovë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazh ndaj figurave të larta shtetërore, një gjyqtar i Krimeve të Rënda, se Driton Muharremi, është ndërmjetësues për te kryeprokurori Aleksandër Lumezi e deri te lajmet me porosi të gazetës online “Insajderi.org” nga persona që dyshohet se kanë të kaluar kriminale janë dëgjuar në disa audio- incizime të cilat pretendohen se janë përgjime të vitit të kaluar, të publikuara nga media online “Shqip.com”.

Java e parë e muajit gusht nisi me heshtje të institucioneve kyçe që monitorojnë sistemin e drejtësisë por edhe inteligjencën financiare.

Këshilli Prokurorial i Kosovës tek në mes të kësaj jave vendosi që të fillojë ndërmarrjen e veprimeve për prokuroren e Departamentit të Krimeve të Rënda, Shemsije Asllani, derisa pretendohej se e njëjta në disa audio-incizime kishte pranuar se do të interesohej për një lëndë të një personi i quajtur Halit Sahitaj.

Në audio-incizime pretendohet që telefonuesi t’i ketë thënë prokurores Asllani, “masi je shoqe e tij, je edhe motra jem sigurisht” deri sa vazhdon më pas bashkëbisedimi.

Prokurorja Asllani pretendohet se kishte pranuar të bisedojë me Sahitajn pasi ky i fundit i kishte përmendur se kishte informacione sekrete për të dhe për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Tha na jemi t’u e hetu, t’u e hetu na jemi Lumezin që nja 3-4 vjet, tha. Për korrupsion, për seksualitet – më fal në shprehje… Edhe për përdorje të kokainit”, dëgjohet biseda e telefonuesit që pretendohet se e ka realizuar me prokuroren Asllani.

Madje e njëjta prokurore pretendohet se i kishte treguar Sahitajt se si kishte ndikuar në zgjedhjen e një gjyqtari e deri te miqtë të cilët e ruanin e të cilët punonin në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

“Menihere për në AKI kur më tha X (emër i njohur për redaksinë) për me fol, unë fola në AKI. I kam miqtë, i kam njerëzit që më ruajnë”, tregon ajo të jetë interesuar për rastin e këtij personi edhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Pas heshtjes për këtë çështje, gjashtë ditë pra që nga publikimi i audio-incizimit ku pretendohet se fliste prokurorja Asllani, erdhi edhe reagimi i parë i KPK-së.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave ligjore, ka parashtruar sot në KPK kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie që ka të bëjë me audio-incizimet e publikuara në portalin “Shqip.com””, thuhet në një njoftim të KPK-së i cili iu dërgua gazetarëve.

KALLXO.com ka tentuar dhjetëra herë ta kontaktojë prokuroren Asllani në lidhje me këto pretendime por e njëjta ka qenë e paqasshme.

Për këtë çështje theu heshtjen pas gati një jave Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili pretendon se personi i cili ka biseduar me prokuroren është një person me të kaluar kriminale dhe quhet Halit Sahitaj.

“Çka të flas unë për të? Presion dhe ndikim në zyrtar për të arritur deri te kryeprokurori”, tha ai shkurtimisht përmes telefonit në një debat në RTV Dukagjini.

Ai tutje kishte pranuar se kishte bashkëbiseduar me personin e pretenduar se është Sahitaj, ndërsa ndërmjetësues i kësaj bisede Lumezi tha se ka qenë tanimë ish- gjyqtari Driton Muharremi.

“Kam pranuar të bisedoj me të sepse me të më ka lidhur Dritoni (gjyqtari Driton Muharremi) dhe ka kërku nga unë të interesohet lidhur me veturën por qëllimi nuk ka qenë te vetura. Vetura është kthy me 24.12.2019, ka qenë qëllimi diku tjetër, nuk e di ku, atë mundeni me pyet z. Sahitaj”, tha Lumezi në një prononcim për RTV Dukagjini.

Pjesë e këtyre audio- incizimeve pretendohet se ishte edhe ish- gjyqtari Driton Muharremi. Ky i fundit dha dorëheqje pas njoftimit se ndaj të njëjtit është themeluar komisioni për hetimin disiplinor e madje edhe pasi Komisioni për Legjislacion rekomandoi shkarkimin e tij.

Muharremi pretendohet t’i ketë premtuar telefonuesit personit që Lumezi tha se është Halit Sahitaj, se do ta takonte me Lumezin për çështjen e veturës së konfiskuar.

“Hajt unë deri të premten e takoj edhe nesër po këqyri mos po shkoj deri te zyra e tij”, pretendohet t’i ketë thënë Muharremi  Sahitajt në lidhje me takimin me Lumezin.

Tutje, Muharremi siç pretendohet në audio- incizime i ka thënë bashkëbiseduesit se puna e lirimit të veturës ka mbetur si pasojë e neglizhencës.

Një tjetër person, figurë e lartë e institucioneve të Kosovës, që dëgjohet në audio-incizime të publikuara nga “Shqip.com” pretendohet se është edhe Dardan Nuhiu, i cili për vite me radhë drejtoi Njësinë e Inteligjencës Financiare e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Financave.

Të hënën dhe të martën e kësaj jave u publikuan dy pjesë të audio-inicizimeve në të cilat pretendohet se Dardan Nuhiu së bashku me një person tjetër po mendojnë të blejnë media në Kosovë për t’i përdorur më pas si mjete shantazhuese ndaj drejtuesve të institucioneve.

“Unë besoj që për nja, krye 2 vjete unë i kapi krejt qeto ma t’fortat që jonë, jom n’krye unë. A po kupton? E tani zgjedh. Zgjedh ku don me shku. Ose çiftin tënd për shembull. Ty po t’ngucin? Po. Ja lëshoj mediat pse po e ngucni njerin”, pretendohet t’i ketë thënë Nuhiu bashkëbiseduesit të tij në incizimet që janë publikuar nga “Shqip.com”.

Ai tutje vazhdon sic pretendohet në audio- incizime deri sa i thotë bashkëbiseduesit se “Janë dy portale të forta këtu te ne, jam në bisedime me i marrë. Me hy ka 50 %. Ti je me mu tjetër kah në Indeksonline ose në Insajderi. Krejt më të fortat kam me i marrë”.

“Kam folë edhe me Vehbinë (Kajtazin) e me ata me ja nis me u marrë me ty me ta pastru figurën”, është një pjesë tjetër e cila pretendohet t’i ketë thënë Nuhiu bashkëbiseduesit.

Vehbi Kajtazi për KALLXO.com kishte thënë se asnjëherë nuk kishte pranuar një ofertë të tillë nga Nuhiu që të punonin së bashku.

“Unë nuk e di se pse, por inkurajoj të gjithë njerëzit që të publikojnë secilën dëshmi rreth meje dhe punës sime si gazetar”, thotë Kajtazi në një deklaratë për KALLXO.com.

Tutje ai shton se mbrapa këtyre audio- inicizmeve që pretendohet të jenë përgjime qëndron një person i cili punon për shërbimin rus.

“Fillimisht dua ta bëjë të qartë se Dardan Nuhiun e njoh shumë moti, sikurse e njohin shumë gazetarë tjerë përfshirë Jeta Xharra. Sa e di unë nuk ka një konfirmim zyrtar se personi që flet është Dardan Nuhiu. Por nëse është, sipas informatave të mia të pakonfirmuara zyrtarisht, pra me anë të një ekspertize, personi tjetër është X (person të cilin Kajtazi e përmend por nuk është konfirmuar nga KALLXO.com), i dyshuar se punon për shërbimin sekret rus, i cili ka edhe shtetësi të Serbisë”, thotë tutje Kajtazi.

Një ofertë për bashkëpunim e ka mohuar edhe drejtuesi i portalit online “Indeks”, Faton Shoshi.

“Së pari këto përgjime kur kanë dalë nuk e di kush i ka vërtetu që është zëri i Dardan Nuhiut apo personit tjetër. Unë nuk muj me besu që ai është Dardani që ka fol, kurrë në jetë ofertë nga Dardani nuk kam pasur. Unë e kam shok të ngushtë Dardanin por kurrë nuk kam pasur ofertë prej tij për me ble Indeksonline, nuk më ka shpreh ambicie për m`u kyç në media”, thotë Shoshi në një bisedë telefonike me KALLXO.com.

Dardan Nuhiu tri ditë pas publikimit të audio-incizimeve të cilat pretendohen se janë përgjime, është shkarkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Pas shqyrtimit të audio incizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka bërë të ditur Murati në Facebook.

Gjatë ditës së djeshme një tjetër audio- incizim është publikuar nga “Shqip.com”, ku pretendohet se gazetari i “Insajder.org” Visar Duriqi telefonohet nga Halit Sahitaj për të cilin Kajtazi e quajti agjent rus e person me të kaluar kriminale, për të cilin kishte publikuar edhe një dokumentar.

Sipas “Shqip.com” Duriqi e Sahitaj bashkëbisedojnë rreth disa artikujve, për të cilët personi që pretendohet të jetë Halit Sahitaj pyet gazetarin Duriqi se sa duhet të paguar për t’i publikuar në portalin “Insajderi”.

Biseda e publikuar, sipas “Shqip.com” është realizuar në verën e vitit 2020. Ndërsa, kërkesa e personit me emrin Halit Sahitaj ndaj, siç pretendohet, autorit të emisionit “InDoks”, Visar Duriqi, është që t’i publikojë disa artikuj për kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, deputetin e Kuvendit dhe biznesmenin, Behgjet Pacolli dhe një për “institucionin e konfiskimit të veturave”.

“Një është për Lumezin, një është për Behgjet Pacollin edhe një është për institucionin e konfiskimit t’kerreve”, dëgjohet duke thënë personi që pretendohet të jetë Halit Sahitaj.

Ndërsa, personi tjetër që pretendohet të jetë gazetari Duriqi përgjigjet duke thënë se “çomi, t’i shty përpara me kta t’mit”.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një koment nga gazetari Duriqi mbi pretendimet e publikuara nga “Shqip.com”, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Por pak orë më pas, gazeta online “Insajderi.org”, kishte reaguar duke i dalë në mbrojtje Duriqit, duke publikuar një pjesë të dokumentarit që kishin realizuar për Halit Sahitajn deri sa Duriqi kishte refuzuar të marrë para nga Sahitaj.

Në bisedën e portalit “Shqip.com”, Halit Sahitaj dëgjohet duke iu referuar gazetarit Visar Duriqi me tezak.

“Valla be qe tezak, ju qysh jeni a jeni mirë”, i thotë Halit Sahitaj gazetarit Duriqi.

Ndërsa gazetari Visar Duriqi i referohet Halit Sahitajt me “boss” e “shef”.

Gazetari Visar Duriqi ka reaguar lidhur me publikimet e portalit “Shqip.com” ku dëgjohet teksa bisedon me Halit Sahitajn për publikime të disa artikujve të paguar.

Ai në rrjetin Facebook është shprehur se nuk ka pasur pagesa nga siç e quan ai, spiuni rus, Halit Sahitaj dhe se asnjë artikull që atij i konvenon, nuk është publikuar.

Pas këtyre reagimeve të “Insajderi.org” dhe autorit të emisionit “InDoks”, Visar Duriqit, ish-deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Milaim Zeka ka publikuar një mesazh kërcënues që ka marrë nga gazetari Duriqi.

Këtë gjë Zeka vendosi ta bëjë pas publikimit të audio incizimeve të portalit Shqip.com. 

Në këtë mesazh Duriqi i thotë Milaim Zekës se i ka borxh me kanun.

“Milaim Zeka, deri sot te kam konsideru mik, edhe kur te tjerët kane raportu për ty, kam qendru anash. Nga sot m’ke borxh. Me kanun. Merre si te duash ti”, është fjalia që gazetari Visar Duriqi ia ka dërguar Milaim Zekës e të cilën e ka publikuar ky i fundit.

Zeka ka thënë se para shumë kohësh e ka njoftuar gazetarin Duriqi për këto video.

Ai madje thotë se i ka bërë me dije që në këso incizimesh kanë rënë edhe shumë figura tjera nga fusha e gazetarisë.

Pas publikimit të disa audio-incizimeve, ku pretendohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë dhe gazetarë, ka ardhur edhe reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

“Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja në këtë thirrje inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste.

“AGK-ja e ka parasysh se kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve. AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila është shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi”, thuhet në fund të reagimit.