Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Lumezi pranon se bisedoi me personin i cili pretendonte se kishte informacione sekrete për të

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka folur sonte rreth audio- inicizimeve të publikuara nga media online “Shqip.com”, në të cilat pretendohen qëllimet e një personi që përmes disa informacioneve që ka për Lumezin të ndikojë në një lëndë ose më saktësisht në lirimin e një vetureje e cila ishte konfiskuar nga organet e rendit.

Lumezi pretendoi se ky person është biznesmeni Halit Sahitaj derisa pranoi se kishte  biseduar me të përmes telefonit.

Ai tha se me Sahitajn kishin biseduar përmes gjyqtarit Driton Muharremit. Edhe ky i fundit pretendohet se është pjesë e audio- inicizimeve.

“Kam pranuar të bisedoj me të sepse me të më ka lidhur Dritoni (gjyqtari Driton Muharremi) dhe ka kërku nga unë të interesohet lidhur me veturën por qëllimi nuk ka qenë te vetura. Vetura është kthy me 24.12.2019, ka qenë qëllimi diku tjetër, nuk e di ku, atë mundeni me pyet z. Sahitaj”, tha Lumezi në një prononcim për RTV Dukagjini.

Ai pranoi se ka thirrje nga shumë palë të cilët janë në procedura penale.

Lumezi tutje nuk komentoi gjatë rreth faktit se emri i tij u përmend në këto audio- inicizime që pretendohen të jenë përgjime të vitit të kaluar.

“Çka të flas unë për të? Presion dhe ndikim në zyrtar për të arritur deri te kryerprokurori”, tha ai shkurt.

Në lidhje me pretendimet se prokurorja e Krimeve të Rënda Shemsije Asllani do të ndikojë në rast, Lumezi tha se ka shfrytëzuar prokuroren përmes shantazhit.

“Ajo ka ndodhur në bisedë, të cilin e kemi identifikuar në atë kohë përmes mashtrimeve, i cili përmes mashtrimeve ka tentu të vijë deri te Kryeprokurori i Shtetit duke thënë ato që ia ka thënë edhe prokurores Asllani. Halit Sahitaj është (personi në telefon)”, tha Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tash e disa ditë ka qenë temë diskutimi për shkak të disa audio- incizimeve që janë publikuar nga media online “Shqip.com” e në të cilat pretendohet se ka pasur ushtrim ndikimi nga një prokurore në lidhje me një rast të një veture të konfiskuar.

Në këto audio- incizime, pretendohet se telefonuesi për të cilin Kryeprokurori Lumezi konfirmoi se është një biznesmen, Halit Sahitaj, ka kërkuar që të lirohet një veturë e konfiskuar ndërsa pretendohet edhe se i njëjti ka pasur informacione të ndryshme edhe për Lumezin.

Përmes këtyre informacioneve që pretendohet t’i ketë pasur Sahitaj, ky i fundit ka tentuar që të ndikojë te prokurorja e Krimeve të Rënda Shemsije Asllani për të liruar veturën e konfiskuar.

Kryeprokurori Lumezi sot theu heshtjen dhe foli në lidhje me këto audio- incizime për të cilat tha se duhet të vërtetohet ligjshmëria e tyre.

“Ne nuk kemi dalë me një prononcim publik por Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet sa i përket përgjimeve për të vërtetuar nëse janë ato përgjime të ligjshme ato. Sipas informacioneve që unë posedoj, incizimet janë të paautorizuara, e dëgjova z. Mehmeti që tha se kur ato përmbajnë vepër penale mund të shërbehen edhe për procedurë”, tha Lumezi në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Ai shtoi se personi që ka bërë incizimet mund të konsiderohej i pafajshëm në rast se të njëjtat audio- incizime ishin dërguar në organet e rendit dhe të drejtësisë për të zbuluar vepra penale.

“…Personi i cili ka bërë këto incizime nuk ka vepër penale vetëm atëherë kur bëhet incizimi me qëllim që të zbulohet vepra penale dhe ato ja paraqet organeve të rendit, policisë, prokurorisë dhe gjykatës dhe këto incizime kanë qëllim të ndjekjes penale, këto incizime nuk janë dorëzuar”, shton Lumezi.

Tutje ai thotë se është keqinterpretuar ushtrimi i ndikimit.

“E dyta ka keqinterpretime dhe botëkuptime lidhur me veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ushtrimi i ndikimit kryhet në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë kur pranohet ndonjë dhuratë për ndonjë përfitim për vete apo për dikë tjetër me qëllim që të ndikoj te personi tjetër që të marr një veprim të kundërligjshëm pavarësisht a është arritur synimi si rezultat që ka pasur në këtë rast”, tregon tutje Lumezi.