Prokurorja Shemsije Asllani - FOTO ARKIV - KALLXO

Jep dorëheqje prokurorja të cilës iu publikuan audio-incizimet duke biseduar me një person për një rast në prokurori

Prokurorja e cila pretendohet se ishte dëgjuar deri sa bisedonte përmes telefonit me një person për një rast në prokurori, Shemsije Asllani ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Dorëheqja e saj erdhi gati tetë muaj që nga koha kur “Shqip.com”, publikoi audio-incizimin i cili ishte më shumë se 40 minuta dhe diskutimi pretendohet se bëhej mes prokurores Asllani dhe një personi tjetër i cili e kishte telefonuar prokuroren në lidhje me një veturë që ia kishin konfiskuar pa të drejtë dhe për këtë e kishte bërë përgjegjës Lumezin.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Asllani e konfirmoi dorëheqjen ndërsa nuk e komentoi gjatë këtë çështje.

E pyetur në lidhje me arsyen e dorëheqjes ajo u përgjigj shkurt, “pa arsye”.

Në korrik të vitit të kaluar media online “shqip.com” kishte publikuar disa audio- incizime më shumë se 10 minuta ndërsa pretendohej se dëgjohej prokurorja Shemije Asllani dhe një person tjetër për zgjidhjen e një rasti të këtij të fundit.

Në audio-incizimet që pretendohet të jetë prokurorja Asllani, dëgjohet teksa nuk heziton të ndajë informacione se çka po ndodh brenda sistemit prokurorial dhe ndikimin e saj edhe në zgjedhjen e një gjyqtari ndërsa dëgjon informacione rreth saj nga bashkëbiseduesi se kinse ajo është e përfshirë në dosjen hetimore të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, hetimin e të cilit po e kryejnë siç thuhet në raportimet e medias online, nga disa ndërkombëtarë.

Për këtë cështje në gusht të vitit të kaluar Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte njoftuar se kishte parashtruar kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores Asllani.

KALLXO.com pati raportuar në vazhdimësi për audio- inicizimet dhe veprimet e institucioneve ndaj këtij rasti.

Sipas audio-incizimeve në të cilat dyshohet se është përfshirë prokurorja Asllani, në fillim të bisedës thekson se telefonata i duket e panevojshme, por më pas i shtohet interesi, kur dëgjon se telefonuesi ka informacione sekrete për të dhe për kryeprokurorin Lumezi.

“Tha na jemi t’u e hetu, t’u e hetu na jemi Lumezin që nja 3-4 vjet, tha. Për korrupsion, për seksualitet – më fal në shprehje… Edhe për përdorje të kokainit”, dëgjohet biseda e telefonuesit që pretendohet se e ka realizuar me prokuroren Asllani.

“Do me thanë Shemsije, unë emrin tond e kam pa aty. I kam pa nja 80 foto, i kam pa aty ma s’pakti”, i thotë telefonuesi, ndërsa prokurorja i kundërpërgjigjet “edhe temin a?”.

Telefonuesi vazhdon t’i tregojë prokurores se ka parë dëshmi e fotografi në oborrin e shtëpisë së saj ku dukej edhe kryeprokurori Lumezi siç pretendohet me një person tjetër.

Brenda raportimit të “Shqip” përmendet edhe një ndërhyrje e prokurores Asllani në AKI.

Këtë ndërhyrje Asllani pretendohet se e ka përmendur deri sa kishte treguar se interesimi i saj për lëndën e personit me të cilin flet mund të jetë shkelje e kodit të etikës, ushtrim ndikimi, shkelje të integritetit.