Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së - Dëshmitari rrëfen për Gardën Kombëtare

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar dhënia e dëshmisë së dëshmitarit të tetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të martën dëshmitari me kodin 4323 po vijon t’u përgjigjet pyetjeve të ZPS-së.

Dëshmitari i mbrojtur 4323 në seancë publike ka rrëfyer për Gardën Kombëtare për të cilën ai nuk kishte dijeni se kur ishte formuar.

“Nuk e kam pas këtë informacion kur, por pas përfundimit të luftës më kanë caktuar në këtë njësit, është formuar para luftës apo pas luftës nuk kam pas atë informacion”- ka shpjeguar ai.

Sipas tij roli i Gardës Kombëtare ka qenë mbrojtja apo sigurimi i shtabit.

“Ka pas mbrojtjen të cilin e kemi bo, sigurimin e shtabit… nuk kemi pas ndonjë detyrë tjetër sepse veç e kemi fillu transferimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…”-deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari shtoi se komandant i Gradës ka qenë personi me numër 5 i cili i ka raportuar zonës pperative të Llapit.

“Personi me numër 5 i ka raportuar direkt zonës operative të Llapit, shtabit të zonës”- pohoi dëshmitari.

Tutje seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Në sallën e gjyqit janë të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Ndërkaq, Jakup Krasniqi po e përcjell procesin përmes video-lidhjes.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.