Shkarkohet Agron Thaçi, kryeshefi i "Infrakosit"

Bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti i Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Kosovës – Infrakosi” e ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Agron Thaçi.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, sekretari i “Infrakos”, Arsim Deliu.

“Bordi ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës kryeshefit ekzekutiv Agron Thaci”, ka thënë Deliu.

Si arsye për shkarkim ai ka përmendur shkeljen e detyrave fiduciare.

Më 8 prill, Bordi i përkohshëm e kishte suspenduar për 6 muaj Kryeshefin Ekzekutiv, Agron Thaçi.

Në vend të Thaçit, si Ushtrues Detyre është emëruar Xhevat Ramosaj, deri tani Zëvendëskryeshef i  ndërmarrjes, “Infrakos”.

Ramosaj ka qenë për dy mandate Kryeshef dhe qe tri mandate është Zëvendëskryeshef në “Infrakos”.

Më 28 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të shkarkuar Bordin e “Infrakos”.

Rozeta Hajdari, ministre e Ekonomisë, i propozoi kabinetit qeveritar shkarkimin e Bordit për shkak që ata nuk kanë shkarkuar kryshefin Agron Thaçi pas ngritjes së aktakuzës nga ai.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, ndër ta ishte edhe kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi.

Ndaj të njëjtit rëndojnë akuzat se për shkak të përfitimit të dobisë pasurore për vetë apo për dikë tjetër i ka shkaktuar dëm ndërmarrjes që drejton, pasi që i njëjti  nuk kishte përmbushur detyrën që kishte edhe pse ka qenë i ngarkuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar obligimet dhe detyrat e tij.

Të shtatë personave i ishte ngarkuar vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëm të shkaktuar ndaj Infrakos në vlerë të 104 mijë e 674 eurove.

Bashkë me Thaçin në aktakuzë janë edhe tre ish-drejtorë të Urbanizmit në Prizren, një drejtor i inspeksionit në po këtë komunë, një inspektor dhe një zyrtar i patundshmërisë.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë Agron Thaçin por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Disa muaj më vonë “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se dëmet financiare ndaj kompanisë janë zvogëluar për t’ua ulur kështu edhe përgjegjësinë pushtetarëve të akuzuar.

Një hulumtim i Drejtësia në Kosovë ka zbardhur se kompania kishte shkruar një emaill ku dëmin e vlerësonte vetëm 100 mijë euro ndërsa procesi se si u arrit kjo shifër është mjaft i dyshimtë.