Gjyqi në Prizren, i akuzuari në Afrikë, anulohen seancat ndaj Nijazi Kryeziut dhe të tjerëve
Në mungesë të të akuzuarit Nijazi Kryeziu i cili për punë zyrtare gjendej në Afrikë, gjykata e Prizrenit ka anuluar seancat në rastin e Infrakosit.
Pos Kryeziut, nuk qenë të pranishëm edhe avokati Kadri Mjekiqi, i akuzuari Bashkim Krasniqi, ish shefi Infrakosit Agron Thaçi, Naim Avdyli, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Ruzhdi Morina dhe anëtarja e trupit gjykues Raima Elezi.
Të lartcekurit paraprakisht kanë qenë të njoftuar se gjykimi i sotëm, në mungesë të Kryeziut, nuk do të mbahej.
Duke i pasur parasysh këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha mori vendim që seanca e sotme dhe ajo e parapare për datën 15 dhjetor të anulohet.
Ndërkaq, seancat e radhës u caktuan më 22 dhe 23 shkurt 2022.
Katër nga shtatë të akuzuarit e Prokurorisë janë ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit në kohën e qeverisjes së PDK-së, Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj dhe Bujar Nerjovaj. Të akuzuar tjerë nga Prokuroria janë edhe ish-inspektori komunal Bashkim Krasniqi, ish kryeshefi i Infrakos-it Agron Thaçi dhe bashkëpunëtori profesional Naim Avdyli.
Sipas aktakuzës, Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturës së hekurudhës në komunën e Prizrenit si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.
Aktakuza e ngarkon edhe ish-inspektorin komunal Bashkim Krasniqi, për periudhën kohore të vitit 2012 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.
Ndërsa i akuzuari Agron Thaçi, gjatë vitit 2013 në Fushë-Kosovë, duke qenë kryeshef në Infrakos Hekurudhat e Kosovës, dyshohet se i kishte shkaktuar dëm ndërmarrjes pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.
I akuzuari Naim Avdyli, pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit, e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.
Sipas Prokurorisë me degradimin e pronës dhe infrastrukturën e hekurudhës së Komunës e Prizrenit të akuzuarit e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104,674.61 euro.