Vendimi i Inspektoratit për kryeshefin e shkarkuar të Infrakosit

Inspektorati i Punës ka marrë vendim që ta kthejë në punë ish-kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Kosovës – Infrakosi”, Agron Thaçi.

Thaçi ishte shkarkuar në muajin prill nga Bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti.

Sipas Inspektoratit, vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është “i mangët, abstrakt, logjikisht i pambështeteshëm i kontekstualizuar, i cili assesi nuk reflekton provat që janë shqyrtuar, faktet që vërtetojnë të tilla provat dhe mënyrën sesi këto prova dhe fakte ndërlidhen me zbatimin e normës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës”.

Inspektorati ka konstatuar se përformanca e Thaçit është vlerësuar pozitivisht të qeverisjes korporative.

KALLXO.com kishte raportuar për shtatë arsyejet që çuan në shkarkimin e Agron Thaçit.

Inspektorati ka konstatuar se vendimi për shkarkimin e Thaçit nuk ishte i bazuar në ligj. Agron Thaçi ka aktakuzë të ngritur dhe i njëjti ishte suspenduar para se të shkarkohej.

Tash inspektorati thotë se i njëjti duhet të mbetet i suspenduar.

“Mbetet në fuqi vendimi i largimit të përkohshëm nga puna me kompensim page 50% për 6 muaj sipas këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Në vend të Thaçit, si ushtrues detyre është emëruar Xhevat Ramosaj, deri tani zëvendëskryeshef i  ndërmarrjes “Infrakos”.

Në vendimin e nënshkruar nga inspektori, Asllan Hajdini është marrë për bazë ligji i punës dhe dispozitat e tij dhe jo Ligji për Ndërmarrjet Publike. Ndërkohë, nga i njëjti inspektorat është lëshuar një vendim krejt tjetër me rastin e shkarkimit të kryeshefit të Hidroregjionit Jugor, e i cili ishte bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike që ja njeh të drejtën bordit për shkarkim të kryeshefit.

Ky është vendimi i Inspektoratit të Punës: