Arkiv - Remzi Shala para Gjykatës - 24.05.2019

Gjykimi për krime lufte ndaj “Mollës së Kuqe” rifillon me tensione dhe fjalosje ndërmjet palëve

Me tensione, fjalosje dhe një seancë e gjatë dhe shumë kundërshtime ndërmjet palëve ka filluar rigjykimi ndaj Remzi Shalës i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile.

Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, akuzohet se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa persona tjerë, pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Gjykata e Prizrenit e kishte dënuar me 14 vite burgim të akuzuarin Remzi Shala, ndërsa Gjykata e Apelit e ndryshuar vendimin e shkallës së parë, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar Shala i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Mirëpo më 2 mars të këtij viti Gjykata Supreme ka anuluar të dy këto aktgjykime, dhe çështja i është kthyer Gjykatës së shkallës së parë në Prizren për rigjykim dhe rivendosje.

Remzi Shala gjatë gjithë kohës mohon akuzat e Prokurorisë.

“Nuk kam qenë kurrë në fshatin Duhël, sepse aty kanë qenë të stacionuar policia dhe ushtria e Serbisë”, kishte thënë më herët “Molla e Kuqe”. Ai gjithashtu kishte mohuar të ketë njohur ndonjë anëtar të familjes Përteshi.

“Kurrë s’i kam njohur, hiç”, kishte thënë Shala duke insistuar se nuk kishte njohur as takuar asnjë anëtar të familjes Përteshi.

Seanca e parë e rigjykimit ka ngjallur fjalosje ndërmjet të akuzuarit Remzi Shala dhe të dëmtuarit Zenel Përteshi, i biri i viktimës Haxhi Përteshi, ndërsa nuk kanë munguar edhe kundërshtimet e shumta dhe mospajtimet ndërmjet avokatit Asdren Hoxha që përfaqëson familjes e dëmtuar me punën e Prokurori Speciale Haki Gecaj që përfaqëson aktakuzën.

“Prokuror, nuk është mirë kur avokati i të akuzuarit pajtohet me mendimet dhe propozimet e tua”, i kishte thënë avokati Hoxha prokuroi Gecaj kur në një moment të seancën prokurori dhe mbrojtësi i të akuzuarit Remzi Shala, avokati Natal Bullakaj, u pajtuan për disa propozime.

Në sallën e gjykimit në përcjellje të të akuzuarit Remzi Shala ishin dy gardianë nga qendra e paraburgimit, mirëpo në sallë nuk kishte prezencë të Policisë, që në fillim të seancën edhe nuk ishte e nevojshme, por me tensionimin e situatës trupit gjykues kërkoi asistencën e Policisë për të siguruar sallën e gjykimit.

Seanca filloi e qetë, deri në momentin kur i akuzuari Remzi Shala filloi fjalosjen me të dëmtuarit që ishin përball tij, që e detyroi trupin gjykues të largonte të akuzuarin Remzi Shala nga salla e gjykimit.

“Nuk jam fajtor, këto janë gënjeshtra, janë rrena dhe prralla”, deklaroi Remzi Shala kur u pyet nga gjyqtarja për fajësinë.

Ai vazhdoi duke dhënë se akuzat e prokurorisë janë të pabazuara. “Jam kanë ushtar i thjeshtë, skam t‘baj unë me rrëmbimin dhe vrasjen e babës së tyne”, tha Shala duke iu drejtuar Agron dhe Zenel Përteshit.

“Nuk e kam njoftë babën e tyne, e as këta nuk i njoh”, tha i akuzuari Remzi Shala.

I dëmtuari Zenel Përteshi kërkoi trupit gjykues që të ndalonte deklarimet e të akuzuarit Remzi Shala.

“Prralla, e rrena nuk ka me jetën e babës tonë, ju lutem gjyqtare ta ndaloni të akuzuarin të deklarohet në këtë formë”, tha Zenel Përteshi ndërsa në sallë të gjykimit filluan fjalosje dhe tensione dhe gjyqtarja Raima Elezi largoi nga salla të akuzuarin Remzi Shala për të ndërprerë seancën për disa minuta derisa të qetësohej situata.

E kur në sallën e gjykimit u qetësua situata dhe u ndaluan fjalosjet ndërmjet të akuzuarit dhe të dëmtuarve, atëherë filloi “beteja” dhe kundërshtimet ndërmjet prokurorit Haki Gecaj dhe avokatëve Asdren Hoxha e Natal Bullakaj.

Prokurori Gecaj gjatë seancës nuk ishte i vendosur për propozimet e tij për rrjedhën e mëtutjeshme të seancës, dhe si përfaqësues i akuzës gjatë seancën në kohën kur kishte momentin të propozonte veprimet konkrete, shfaqte pasiguri dhe dukej i pavendosur për propozime konkrete se si të vazhdohej tutje, por vetëm përkrahte propozimet e avokatëve Asdren Hoxha dhe avokatit Natal Bullakaj.

“Nuk kundërshtoj propozimet e palëve për prova dhe dëshmitarë të cilat do të ndihmonin në vërtetim e gjendjes faktike”, ishte e tëra çfarë kishte për të thënë prokurori Gecaj.

I zëshëm dhe me shumë kundërshtime ishte përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Asdren Hoxha, që me këmbëngulje po kërkon që gjatë rigjykimit të dëgjohen përsëri disa nga dëshmitarët për të cilët kishte dhënë vërejtje edhe Gjykata Supreme kur kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas Gjykatës Supreme, në rigjykim duhet të eliminohen paqartësitë e zhvillimit të ngjarjes, përkatësisht të vërtetohen saktësisht veprimet e Remzi Shalës, të sqarohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë forma e veprimit të tij se a ka qenë personi që ka dhënë urdhër apo personi që ka zbatuar urdhrat për veprimet e ndërmarra kundër popullatës civile dhe më konkretisht ndaj të të dëmtuarit Haxhi Përteshi.

Pikërisht mbi këto konstatime të gjykatës Supreme u zhvillua debat për rreth 2 orë ndërmjet trupit gjykues, prokurorit dhe avokatëve.

Fillimisht prokurori Haki Gecaj propozoi që deklaratat e dëshmitarëve të dhëna para trupit gjykues, gjatë rigjykimit të lexohen, dhe përkrahu propozimet tjera nga palët nëse kanë me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike.

“Jam i befasuar nga propozimi i prokurorit dhe nuk e përkrahu farë këtë propozim”, tha avokati Asdren Hoxha që përfaqëson familjen Përteshi si palë e dëmtuar, ndërsa i njëjti propozoi që gjatë rigjykimit të rastit të bëhet përsëri dëgjimi i dëshmitarëve të cilët janë relevantë dhe me rëndësi për të vërtetuar vërejtje e vendimit të Gjykatës Supreme, andaj sipas avokati Hoxha gjykata duhet filluar të dëgjojë si dëshmitar të dëmtuarin Agron Përteshi, djali i viktimës Haxhi Përteshi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Remzi Shala, avokati Natal Bullakaj, vazhdoj të insistojë që Gjykata duhet të sigurojë praninë dhe dëshminë e një dëshmitari anonim, emri i të cilit sipas avokatit është i njohur për organet e Policisë. “Por ky dëshmitar për të deklaruar para trupit gjykues kërkon mbrojtje dhe siguri”, tha avokati Bullakaj, duke vazhduar se dëshmia e tij do të ishte me rëndësi për rastin, pasi që i njëjti më herët në një letër konfidenciale kishte dhënë fakte me rëndësi për rastin në fjalë.

Gjithashtu avokati Bullakaj kërkoi nga trupi gjykues që të sigurojë informacion se i akuzuari Remzi Shala gjatë kohës së luftës kur akuzohet për veprimet e kryera, çfarë pozite ka pasur, ushtar i thjeshtë apo ka pasur pozitë komanduese.

Propozimin që dëshmitari anonim i kërkuar nga avokati Bullakaj për të dëshmuar para trupit gjykues e kundërshtuan prokurori Gecaj dhe avokati Hoxha, të cilët thanë se i njëjti dëshmitar dhe deklarata e tij nuk kanë rëndësi për rastin dhe nuk zbardhin asnjë rrethane apo fakt të ri, i cili do t’i shërbente trupit gjykues për të vërtetuar dhe zbardhur rastin.

Me kundërshtime e propozime dhe shumë mospajtime vazhdoi rreth dy orë seanca e parë e rigjykimit, derisa avokatët e prokurori kishin mospajtime me njëri tjetrin, deri në momentin kur trupi gjykues arriti në një vendim i cili do të kishte pajtimin e të gjithë palëve.

Përfundimisht pas një seance të gjatë me tensione e fjalosje, shumë propozime e kundërshtime, trupit gjykues me kryetaren Raima Elezi dhe gjyqtarët Luan Berisha dhe Fatmir Krasniqi vendosën që i pari të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit i dëmtuari Agron Përteshi.

Ndërsa pas dëgjimit të Agron Përteshit që është djali i viktimës Haxhi Përteshi, trupi gjykues do të marrë propozimet e prokurorit dhe avokatëve, cilët do të jenë dëshmitaret që do të ftohen përsëri për të deklaruar para trupit gjykues, dëshmitë e të cilëve do të ishin me rëndësi për të zbardhur ngjarjen.

Për shkak të situatës së krijuar me krizën e pandemisë, dhe faktin që të dëmtuarit Agron e Zenel Përteshi jetojnë jashtë Kosovës dhe prania e tyre ë seancat e ardhshme varet nga situata e krijuar, atëherë trupit gjykues vendosi që seancat e ardhshëm të mbahen më 1,2,3 dhe 4 shtator.

Gjithashtu trupit gjykues refuzoi kërkesën e avokati Natal Bullakaj që të akuzuarit Remzi Shala t’i ndërpritet paraburgimi meqenëse sipas avokatit Bullakaj tashmë kanë pushuar arsyet që i është caktuar paraburgimi, dhe i akuzuari Shala i premtoi gjykatës që nuk do të mungojë në asnjë seancë gjyqësore.

Gjatë kohës sa zhvillohet gjykimi ndaj Remzi Shalës ai ishte intervistuar edhe nga Gjykata Speciale.

Me 3 korrik të vitit 2019, me 14 vite burgim e kishte dënuar Gjykata e Prizrenit Remzi Shalën nën akuzat për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Përteshit nga Duhla e Suharekës 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Pas këtij vendimi të Gjykatës së Prizrenit, Zenel Përteshi djali i Haxhi Përteshit i përlotur kishte thënë se edhe pse u vonua, drejtësia për babanë e tij të ndjerë arriti në vend.

Rreth 5 muaj më vonë, Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, e kishte aprovuar pjesërisht ankesën e avokatit mbrojtës Natal Bullakaj, por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatë Themelore në Prizren.

Nga 14 vjet burgim sa ishte gjykuar, nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala i ishte zbutur dënimi në 10 vjet burgim.

Mirëpo me 2 mars të këtij viti Gjykata Supreme ka anuluar të dy këto aktgjykime, dhe çështja i është kthyer Gjykatës së shkallës së parë në Prizren për rigjykim dhe rivendosje.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se nga Gjykata e Shkallës së parë nuk janë dhënë arsye për ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësisë penale nga i dënuar Remzi Shala, e posaçërisht fakti i veprimit të të dënuarit dhe se veprimi i tij a kishte të bënte me dhënien e urdhrit apo kishte zbatuar ndonjë urdhër që për marrjen peng të civilëve.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se edhe pse nuk ishte kontestuese rrethana se Remzi Shala  ishte pjesëtar i UÇK-së, gjykata e shkallës së parë në Prizren, nuk ka dhënë arsyetim përkitazi me pozitën e të dënuarit Remzi Shala, se i njëjti a ka pasur ndonjë pozitë në hierarkinë ushtarake në vendin dhe kohën kur ka vepruar dhe më konkretisht rolin e tij në ditën kritike.

Pse Gjykata Supreme e ktheu rastin e komandantit të UÇK-së ‘Molla e Kuqe’ në rigjykim?