Zenel Perteshi - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Djali i të vrarit shpërthen në vaj pas dënimit të komandantit të UÇK-së

Zenel Perteshi, djali i Haxhi Perteshit, i cili 21 vjet më parë ishte gjetur i vrarë pasi ishte rrëmbyer nga disa persona në oborrin e shtëpisë, ka thënë se është i kënaqur me vendimin e Gjykatës së Prizrenit, e cila të akuzuarin Remzi Shala e dënoi me 14 vjet burgim.

Në një prononcim për KALLXO.com, Zenel Perteshi tha se edhe pse u vonua drejtësia për babanë e tij të ndjerë arriti në vend.

Ai paralajmëroi se do t’i ndjekë përmes Gjykatës edhe personat e tjerë të cilët ishin në ditën kur e morën babanë e tij në oborr dhe më pas e kishin gjetur të vdekur.

Me lot në sy, ai tha se do t’u tregojë fëmijëve, nipave e mbesave se Haxhi Perteshi nuk ishte i tillë për çfarë është përfolur.

Gjykata në Prizren e ka shpallur fajtor ish eprorin e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (UÇK), Remzi Shala në akuzën për krime lufte dhe e ka dënuar me 14 vjet burg.

https://kallxo.com/gjykata-shpall-fajtor-mollen-e-kuqe-per-krime-lufte/

Ndaj tij do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës.

Remzi Shala është gjykuar në Prizren për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Në fjalën përfundimtare Remzi Shala ishte i shkurtër në deklarimin e tij, duke thënë se i njëjti asnjëherë nuk është marrë me popullatë civile “ Jam krenar që kam qenë ushtar i UÇK-së, dhe gjatë luftës nuk jam marrë me popullatë civile as shqiptare e as serbe ‘’ me këto fjalë e përfundoi i akuzuari Shala deklarimin e tij të fundit në këtë gjykim.

Mbrojtësi i tij avokati Natal Bullakaj i kërkoi trupit gjykues që i akuzuari Remzi Shala të lirohet nga akuzat për shkaka të mungesës së provave, sipas Bullakajt aktakuza e Prokurorisë Speciale është e bazuar vetëm në një deklaratë dhe atë deklaratën e të dëmtuarit Agron Përteshi që njëherë është edhe djali i të ndjerit Haxhi Përteshi.

https://kallxo.com/avokati-do-ta-apeloj-denimin-e-remzi-shales-video/

Prokurori nga radhët e prokurorisë speciale Haki Gecaj tha që gjatë gjykimit është vërtetuar aktakuza e Prokurorisë, dhe se i akuzuari Remzi Shala duhet të dënohet sipas ligjit për veprat penale krime lufte ndaj popullatës civile.

Avokati Asdren Hoxha që përfaqëson familjen Përteshi gjithashtu ishte i mendimit sikurse prokurori, duke theksuar se i akuzuari Shala duhet të dënohet ngase nga të gjitha deklaratat e dëshmitarëve është vërtetuar aktakuza e Prokurorisë se Remzi Shala ka qenë pjesë e grupit që e kanë rrëmbyer të ndjerin Haxhi Përteshi.