Remzi Shala

VIDEO: Ish-komandanti i UÇK-së, Remzi Shala, është intervistuar nga Gjykata Speciale

Ish-eprori i UÇK-së, Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e kuqe”, është intervistuar nga Gjykata Speciale.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i tij, Natal Bullakaj,

“Klienti im, Remzi Shala, ka dhënë dëshmi për dy ditë me radhë. Dëshminë e ka dhënë në çështje të përgjithshme dhe për shkaqe të rrjedhës së hetimeve nuk do të lëshohem më tutje, por është e vërtetë (se është intervistuar nga Gjykata Speciale), e konfirmoj”, tha avokati Bullakaj.

Remzi Shala është dënuar sot me 14 vjet burgim nga Gjykata e Prizrenit.

Ai akuzohet për krime lufte, lidhur me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës në qershor të vitit 1998.

Pak ditë pasi ishte marrë nga shtëpia nga disa persona, për të cilët pretendohet se ishin pjesëtarë të UÇK-së, Haxhi Perteshi është gjetur i vdekur buzë një rruge në fshat.

https://kallxo.com/gjykata-shpall-fajtor-mollen-e-kuqe-per-krime-lufte/

Lidhur me këtë rast, ndaj Remzi Shalës do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës.

Në fjalën përfundimtare në procesin për krime lufte, Remzi Shala ishte i shkurtër në deklarimin e tij, duke thënë se i njëjti asnjëherë nuk është marrë me popullatë civile “ Jam krenar që kam qenë ushtar i UÇK-së, dhe gjatë luftës nuk jam marrë me popullatë civile as shqiptare e as serbe ‘’ me këto fjalë e përfundoi i akuzuari Shala deklarimin e tij të fundit në këtë gjykim.

Mbrojtësi i tij avokati Natal Bullakaj i kërkoi trupit gjykues që i akuzuari Remzi Shala të lirohet nga akuzat për shkaka të mungesës së provave, sipas Bullakajt aktakuza e Prokurorisë Speciale është e bazuar vetëm në një deklaratë dhe atë deklaratën e të dëmtuarit Agron Përteshi që njëherë është edhe djali i të ndjerit Haxhi Përteshi.

Prokurori nga radhët e prokurorisë speciale Haki Gecaj tha që gjatë gjykimit është vërtetuar aktakuza e Prokurorisë, dhe se i akuzuari Remzi Shala duhet të dënohet sipas ligjit për veprat penale krime lufte ndaj popullatës civile.

Avokati Asdren Hoxha që përfaqëson familjen Përteshi gjithashtu ishte i mendimit sikurse prokurori, duke theksuar se i akuzuari Shala duhet të dënohet ngase nga të gjitha deklaratat e dëshmitarëve është vërtetuar aktakuza e Prokurorisë se Remzi Shala ka qenë pjesë e grupit që e kanë rrëmbyer të ndjerin Haxhi Përteshi.