FOTO ARKIV: Xhabir Zharku

Gjykimi për korrupsion ndaj Xhabir Zharkut pritet të nisë në dhjetor

Ish-kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, pritet të dalë para gjykatës në Ferizaj në fillim të dhjetorit.

Zëdhënësja e gjykatës, Albënora Bekteshi, ka konfirmuar se gjykatësi i rastit e ka caktuar 8 dhjetorin si datë për fillimin e këtij procesi gjyqësor.

“Po mund të konfirmoj që seanca fillestare ndaj Zharkut është caktuar për datën 08 dhjetor”, tha shkurt Bekteshi.

Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi duke iu shmangur vuajtjes së denimit. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa në qershor  2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati për ekzekutikin e dënimit ndaj tijë.