Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Kapiteni i Policisë i dha fajde 20 mijë dhe përfitoi mbi 17 mijë euro nga to

Zyrtari i policisë së Kosovës K. K., i cili ditë më parë u arrestua nën dyshimet për fajde, do të qëndrojë për 30 ditë në paraburgim.

Në paraburgim do të qëndrojë edhe i dyshuari tjetër F. R.

Sipas gjykatës së Ferizajt dy të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim pasi është e vetmja mënyrë e cila mund ta sigurojë mbarëvajtjen e procedurës penale ndaj tyre.

Gjykata e Ferizajt në arsyetimin e masës së paraburgimit ka shkruar se në rast se ata lihen në liri mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe mund ta përsërisin veprën penale të fajdesë.

Masë më e butë  i është shqiptuar të dyshuarit tjetër B. R. Atij i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

Zyrtari policor K. K., dyshohet se ka dhënë 20 mijë euro fajde dhe nga to ka përfituar mbi 17 mijë euro.

Sipas Prokurorisë fajdeja me kamatë prej 3 % është dhënë nga zyrtari policor gjatë vitit 2017 dhe në emër të saj i dëmtuari ka pasur për obligim të paguaj prej 600 deri në 800 euro në muaj.

I dyshuari tjetër F. R., dyshohet se i ka dhënë një qytetari 22 mijë euro para me fajde dhe nga to ka përfituar 24,300.00 euro si dhe e ka obliguar të dëmtuarin për pagesën e 22 mijë eurove të marra me fajde.

Përpos 22 mijë eurove F. R., dyshohet edhe se ia ka dhënë një personi tjetër një shumë prej 7 mijë euro me fajde, duke përfituar nga kjo shumë 3,500 euro, si dhe duke e obliguar të dëmtuarin edhe për 7 mijë eurot e marra në fillim.

Ndërsa të dyshuarit tjetër B. R., gjykata ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Dy ditë më parë KALLXO.com raportoi se zyrtari policor K. K. në gradën e kapitenit është kapur në flagrancë me fajde.

Ai ishte arrestuar pasditen e 16 shkurtit nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas informacioneve hetimi në këtë rast kishte filluar rreth një vit më parë, kurse si të dyshuar janë të përfshirë edhe disa qytetarë.

Arrestohet oficeri i Policisë në Ferizaj, kapet në flagrancë për fajde