Kanosja me armë dhe detyrimi, i kushojnë me 4 vjet burgim dhe 1 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit S.M., për shkak të veprës penale ‘detyrim’.

S.M.,është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 4 viteve dhe dënim me gjobë në shumën prej 1.000 euro.

Gjykata nëpërmes një komunikate ka sqaruar rrethanat deri në marrjen e vendimit ndaj të akuzuarit.

Aty thuhet se pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të akuzuarin S.M., e shpalli fajtor për veprën penale detyrim dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër viteve dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë euro.

Ai akuzohej se më 12.02.2016 në Ferizaj me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm, përmes kanosjes serioze me armë, ka detyruar të dëmtuarit E.R dhe L.A.

“Fillimisht ai i pyet të dëmtuarit se ku gjendet “Viva Fresh”, pastaj të dëmtuarit hipin në veturë për t’ia treguar “Viva Fresh”, ndërsa i akuzuari nën kërcënim të armës i dërgon në Pejë dhe atje i detyron që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, ashtu që ua merr të dëmtuarve telefonat celular njëri “Iphone 4 S” dhe tjetri ”Samsung 4”. Kundër aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, përfundon njoftimin e sajë Gjykata.