Gjykata Themelore e Pejes - Foto: :Atdhe Mulla

Gjykimi për grabitje në bizneset bankare në Pejë

Vilson Bajramaj ka dalë edhe njëherë para Gjykatës se Pejës për t`u ballafaquar me akuzën për grabitje me armë në raste të ndryshme, duke marrë shumën prej 5 mijë e 498 euro.

Bajramaj është dënuar nga Gjykata e Pejës me 8 vite burgim dhe 1500 euro gjobë, por pas ankesës së mbrojtjes rasti është kthyer në rigjykim.

I akuzuari i cili në shqyrtimin e kaluar e ka pranuar fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë, sot pas leximit të aktakuzës u deklarua i pafajshëm.

“Kam qenë depresiv atëherë dhe e kam pranuar fajësinë, sot nuk e pranoj për asnjë vepër”, u deklarua para trupit gjykues i akuzuari Bajramaj.

Prokurori i rastit Agron Galani, tha se aktakuza ndaj të pandehurit është e bazuar në deklaratat e dëshmitarëve të cilët kanë bërë identifikimin e tij përmes fotografive që iu janë prezantuar.

Galani shtoi se edhe vëllezërit e të akuzuarit pasi kanë shikuar video-inçizimet kanë pohuar se i dyshuari është vëllai i tyre-Vilson Bajramaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Vilson Bajramaj, avokati Liridon Tafaj, propozoi që të angazhohet një ekspert për armë, që të eliminohen dyshimet se arma që është përdorur a ka qenë e vërtetë.

Ky propozim u aprovua nga trupi gjykues me kryetar Sylë Lokajn.

Dëshmi para gjykatës dhanë dy të dëmtuarat e rastit.

Miranda Dreshaj, që ka qenë punëtore në IPKO, ku dyshohet së është kryer një grabitje nga i akuzuari Bajramaj, tregoi para gjykatës momentet kritike të rastit.

Ajo tha se ditën kritike i dyshuari kishte hyrë në dyqan me një kapele dhe shall të zi, duke e kanosur atë përmes armës me fjalët “paret”.

Sipas saj, i akuzuari ka marrë nga arka shumën prej 180 eurove.

Ajo shtoi se në polici përmes fotografive të prezantuara ka arritur ta identifikoj të dyshuarin.

Para gjykatës u deklarua edhe e dëmtuara Kaltrina Vokshi, e cila tha se i dyshuari ishte paraqitur me një shall që i mbulonte gojën dhe hundën, ndërsa në kokë ka pasur të vendosur një kapele të zezë.

“Ai pastaj e nxori armën dhe m`u drejtua me fjalët “qiti paret”. Unë i thash të tregova që nuk kemi pare, ai m`u drejtua me pyetjen “a je e sigurtë”” deklaroi Vokshi.

Dëshmitarja tha se i kishte ofruar të akuzuarit të hollat e saj që kishte pasur në çantë.

“Ai më tha ‘jo pa panik vetëm paret’, unë i nxora të gjitha paret mbi tavolinë dhe ai nuk i mori pasi i shikoi”, tregoi para trupit gjykues dëshmitarja Vokshi.

Edhe kjo dëshmitare tha se përmes syve ka bërë identifikimin e të pandehurit për këtë rast nga fotografitë.

Ndërsa, Mentor Bajramaj që është vëllai i të akuzuarit, nuk pranoi të deklarohet sot para gjykatës.

Seanca e radhës mbahet me 22 qershor.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bajramaj në vazhdimësi duke kërcënuar me armë në raste të ndryshme të grabitjeve, dyshohet se ka merre rreth 5 mijë e 498 euro.

Sipas aktakuzës, Bajramaj kishte kryer katër raste të grabitjeve në Pejë, në biznese kryesisht bankare si  ‘Monego’,  ‘Moneygram’, ‘Ipko’, ‘Western Union’  dhe një grabitje në ‘IUTE CREDIT’ kishte mbetur në tentativë.