Gjykimi për vrasjen e Arben Dekajt, i akuzuari: Natën kritike kam qenë te nëna për darkë
Kamber Buleshkaj, i cili po akuzohet për vrasjen e Arben Dekajt, tha se natën kritike ka qenë te shtëpia e nënës së tij për darkë.
Buleshkaj akuzohet se më 12 shtator 2018 me 8 plumba e kishte privuar nga jeta Arben Dekajn, e pastaj e kishte hedhur trupin e tij nga ura në lumin e Shushicës.
Buleshkaj tha se më 12 shtator kishte qenë në Prishtinë lidhur me një çështje punësimi, ndërsa në mbrëmje ka qenë për darkë te nëna e tij.
“Gjatë ditës kam qenë kah shpija, me fal kam qenë në Prishtinë se po me ngatërrohet, nuk po me kujtohet mirë”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjen e gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj.
Gjyqtarja ia lexoi të akuzuarit deklaratën e nënës së tij, ku ajo kishte deklaruar se 2-3 ditët e fundit nuk ishte takuar me djalin e saj – Kamberin.
“Ti ke thënë që më 12 dhe 13 kam shku të nëna për bukë, nëna jote duke iu referuar këtyre datave ka deklaruar se nuk të pa ty”, tha gjyqtarja.
I akuzuari qëndroi pranë deklarimit të tij se në këto data ka qenë në shtëpinë e nënës së tij, duke shtuar se ka mundësi që për shkak të moshës nënës t’i jenë ngatërruar gjërat.
Buleshkaj tutje tha se të ndjerin e ka pasur shok dhe se ai i ka kryer favor të ndjerit duke ia mbajtur armët në shtëpinë e tij, kur të ndjerit Arben i ka shkuar Policia për bastisje.
“A ka pasë pushkë automatike M47 në mesin e tyre?”, pyeti gjykatësja të akuzuarin.
“Unë nuk i di llojet e armëve, nuk e di”, tha ai.
Gjykatësja pastaj e pyeti se a ka punuar ai ndonjëherë në kampin “Bondsteel”.
“Po, kam punuar si përkthyes, ushtarët amerikanë mbajnë armë M4 dhe M16”, tha Buleshjkaj
“Si po e di çfarë lloji të armëve kanë pasur, pasi po thua se ti nuk i njeh armët?”, ishte pyetja e gjykatëses.
I akuzuari u përgjigj se nuk i njeh llojet e armëve porse ka dëgjuar të diskutohet për armë aty.
Gjykatësja ia lexoi të akuzuarit raportet në shkresat e lëndës lidhur me bisedat e zhvilluara mes tij dhe kushëririt të tij, Armend Buleshkaj, që në atë kohë ka qenë gardian në burg.
“Kamberi kërkon nga Armendi nëse mund ta thërriste policinë me e pyet për rast, Armendi i thotë jo se mund të duket e dyshimtë, por prapë i mbushet mendja dhe i thotë hajt se do e thërras Milotin dhe do e pyes”, ishte pjesa e bisedës e lexuar nga gjyqtarja.
I akuzuari tha se nuk i kujtohet kjo bisedë.
“Kamberi e njofton Armendin se ka qenë në polici, me cilin polic ka pasë punë, dhe ka dalë i kënaqur por ende është frikësuar se nuk është kryer”. E kjo bisedë a po të kujtohet?”, e pyeti gjyqtarja të akuzuarin.
Ai tha se as kjo nuk i kujtohet.
I akuzuari tha se në një bisedë me nënën e tij pas rastit, ajo i ka thënë se ka qenë policia dhe ia kanë thyer shtëpinë gjatë bastisjes.
Gjyqtarja e njoftoi të akuzuarin se në shkresat e lëndës nuk ka ndonjë raport se Policia ka hyrë brenda me dhunë.
“Sigurisht Policia i ka falsifikuar ato raporte, nuk ka pasur nevojë me shku policia me shku me lujtë James Bondin, janë rregullat, duhet me pasë urdhër të prokurorisë”, tha Buleshkaj.
Në këtë proces gjyqësor nga eksperti i balistikës është bërë me dije se në kanape-ulëse në shtëpinë e të akuzuarit është gjetur këmisha e predhës që sipas ekspertizës ka qenë e njëjta me armën që është vrarë Arben Dekaj.
Në këto rrethana i akuzuari u ballafaqua edhe me gjetjet nga procesverbali i bastisjes në shtëpinë e tij.
Ai tha se nuk ka pasur dijeni se kanapeja-ulësja në dhomën e ditës ka pasur vrima.
“A jeni në dijeni sipas procesverbalit të bastisjes në kanape në anësore janë gjetur disa vrima për të cilat janë supozuar se janë nga prekjet me armë po ashtu është dyshuar se ka edhe njolla të gjakut?”, pyeti gjykatësja të akuzuarin.
Pastaj i akuzuari tha se kanë pasur vrima meqenëse kanë qenë shumë të vjetra por se ka pasur vrima të armës ai nuk ka pasur njohuri.
Gjykata e njoftoi të akuzuarin se nga ekspertiza e profilit të tij të ADN-së nuk ka rezultuar gjak nga burimet njerëzore por që prapë gjykata do ta vlerësojë nëse është bërë ekspertiza në mënyrë të saktë.
Buleshkaj tha se kur kishte takuar motrën e të ndjerit, ajo dhe familjarët e tij, e kane akuzuar duke i thënë në datën 14 e kane parë veturën e Arbenit para shtëpisë së të akuzuarit.
“A u interesove ti më për këtë rast, meqenëse ti je ftuar nga policia në cilësinë e dëshmitarit, pra s’ka pasë dyshime se e ki kry veprën, a ke bo përpjekje me bisedu me familjarët e të ndjerit?”, tha gjyqtarja.
I akuzuari tha se ata në vazhdimësi e kanë shmangur dhe ai nuk ka tentuar të flasë më ta.
“A ndjeve obligim me shku në varrim ti?”, ishte pyetja e radhës e gjykatëses.
“Jo, se unë nuk shkoj në varrime, për 20 vjet 2 here ndoshta kam shku”, u përgjigj i akuzuari.
Gjyqtarja tha se e sheh si të arsyeshme që të vazhdohet prapë me provat në shkresat e lëndës dhe se nuk do ta përfundojë këtë çështje pa i sqaruar të gjitha rrethanat në raport me provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Në seancë u dëgjua edhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Pejë, Enis Lluka, që në kohën e vrasjes së Arben Dekajt ka qenë shef i hetimeve rajonale.
Lluka tha se më 15 shtator pas informacionit që kanë pranuar nga motra e të ndjerit, ata kanë shkuar të shtëpia e Kamber Buleshkajt dhe pas bisedës me të është kërkuar që ai të paraqitet në stacion që të deklarohet në cilësinë e dëshmitarit.
Tutje dëshmitari tha se më 11 dhjetor, që është edhe data kur është arrestuar i akuzuari, kanë shkuar në shtëpinë e të akuzuarit për bastisje.
“Kur shkuam Kamberi ka qenë në Prishtinë, e kemi pritë jashtë deri sa ka ardhë dhe nuk kemi filluar bastisjen pa qenë ai prezent”, tha dëshmitari.
Lluka tha se kushëriri i të akuzuarit, gardiani Armend Buleshkaj, ka shprehur interesim për këtë rast penal prej momentit të arrestimit të Kamber Buleshkajt.
Ai tha se Armendi e kishte pyetur se a ka mundësi që tani i akuzuari e ka kryer këtë vepër.
“Ne fillimisht kemi mendu se është duke na ndihmuar, më vonë kemi kuptuar se ai më shumë po mundohet me ble prej neve se me na dhënë informata”, tha dëshmitari.
I akuzuari tha se ka vërejtje në deklarimin e dëshmitarit pasi ai, sipas tij, nuk e ka treguar të vërtetën.
“Pse rrejte se the që s’je konë brenda në shtëpi?”, ishte vërejtja e tij.
Trupi gjykues i tërhoqi vërejtjen të akuzuarit me arsyetimin se fjala ‘rrej’ nënkupton fyerje.
Dëshmitari Lluka tha se ai e ka treguar të vërtetën.
Seanca e radhës do të mbahet më 8 dhjetor.
Prokuroria e Pejës pretendon se në shtator të vitit 2018 në Istog, Arben Dekaj me veturën e tij kishte shkuar në shtëpinë e Kamber Buleshkajt, duke kërkuar nga ky i fundit një armë të llojit Kallashnikov, që këtë armë të ndjerit ia kishte kërkuar Abedin Hysenaj, që të festonin në një aheng familjar.
Sipas dosjes se Prokurorisë, pas një mosmarrëveshjeje i akuzuari Buleshkaj privon nga jeta Arben Dekajn, e pastaj te lumi i Shushicës e hedh trupin e tij nga ura në lumë.
Sipas aktakuzës, pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair” e braktis veturën, derisa kufoma të gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur.