Zyrtari policor pranon fajësinë për akuzën se ka marrë 250 euro ryshfet
Zyrtari policor, Qamil Delija, u deklarua fajtor lidhur me akuzën se ka marrë 250 euro ryshfet nga një person në këmbim të kthimit të librezës së qarkullimit të veturës.
Këtë deklarim Delija e bëri në seancën sotme gjyqësore ku ai po akuzohet për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Delija tha se është penduar për këtë vepër penale, duke shprehur edhe keqardhje për veprimet e tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Muharrem Hoti, tha se i mbrojturi i tij e ka pranuar fajësinë në të gjitha fazat, por që në fazën hetimore ata nuk janë pajtuar me veprën marrje ryshfeti të cilësuar nga organi hetues, por meqenëse tani aktakuza e ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare ai tha se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij.
Avokati kërkoi nga gjykata që pranimin e fajësisë ta marr si rrethanë veçanërisht lehtësuese, pasi kjo gjykatës i krijon mundësi për zbatimin për zbutje të dënimit.
Në anën tjetër prokurori Agron Galani, tha se në këtë rast nuk ka gjetur asnjë rrethanë lehtësuese e as rënduese.
Gjyqtari Murat Hulaj tha se shpallja do të bëhet nesër në ora 8:50.
Sipas aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, Delija po akuzohet se në maj të këtij viti ka marrë 250 euro ryshfet nga një person në këmbim të kthimit të librezës së qarkullimit të veturës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Delija si zyrtar policor, përmes dëshmitarit P. D. siguron lejen e qarkullimit të veturës së të dëmtuarit V. K., dhe atë librezë nuk dorëzon në polici e as nuk ia kthen të dëmtuarit.
Dosja e prokurorisë thotë se i akuzuari kërkon nga i dëmtuari që për kthimin e librezës t’i japë shumën prej 250 euro ose në të kundërtën nuk do t’ia kthej librezën.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari e njofton IPK-në, dhe pastaj takohet me të akuzuarin përballë një pompe të derivateve, dhe i dëmtuari ia dorëzon zyrtarit policor shumën prej 250 euro, dhe ky i fundit ia kthen atij librezën e qarkullimit.
Në atë moment sipas prokurorisë zyrtari policor është arrestuar nga zyrtarët e IPK-së.