Gjykimi i burrit nga Klina që akuzohet se tentoi ta vriste gruan, së shpejti aktgjykimi
“E nderuar gjykatë betohem edhe një herë se nuk e kam kryer veprën me dashje, e kam lënduar një njeri të jetës sime që kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës me të, dëshira ime e fundit kish me qenë që të jem në liri, për shkak se nuk ka kush të kujdeset për familje”.
Këto ishin fjalët në Gjykatën e Pejës të Agron Gashit, i akuzuar se me dashje ka tentuar ta vrasë bashkëshorten e tij V.B.
Ndërsa bashkëshortja V.B. tha se ngjarja atë ditë ka ndodhur rastësisht, duke shtuar që më të akuzuarin asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem.
E vajza e të akuzuarit dhe të dëmtuarës, B.G. tha se nuk pajtohet që babai i saj të dënohet pasi, sipas saj, ai nuk ka pasur për qëllim ta vrasë nënën e saj.
Përveç tyre, sot në Gjykatë fjalën përfundimtare e dhanë prokurori e mbrojtja e të akuzuarit.
Prokurori Agron Galani i propozoi Gjykatës që i akuzuari Gashi të shpallet fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, pasi sipas prokurorit gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar fajësia e tij.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Adem Nikqi, tha para trupit gjykues se i mbrojturi i tij ka vepruar nga pakujdesia e jo ashtu siç thotë aktakuza e Prokurorisë.
“Jam i bindur se i mbrojturi im atë natë pa dashje, pa qëllim, e pa asnjë motiv, nga pakujdesia i ka shkaktuar lëndim trupor bashkëshortes së tij”, tha avokati Nikqi.
Nikqi tha se kjo vërtetohet edhe me faktin se i akuzuari i ka pasur edhe 7 plumba në revole, por që janë shkrepur vetëm dy nga ana e tij, çka, sipas tij, vë në pah se nuk ka ekzistuar dashja në veprimet e të mbrojturit të tij.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet të hënën.
Aktakuza e Prokurorisë së Pejës thotë se Agron Gashi me dashje ka tentuar të privojë nga jeta gruan e tij, duke rrezikuar kështu edhe jetën e djalit dhe vajzës së tij.
Sipas Prokurorisë kjo ka ndodhur për shkak të një fjalosje mes të akuzuarit dhe djalit të tij, ku ky i fundit ka tentuar ta largojë të akuzuarin jashtë derës hyrëse të shtëpisë.
Prokuroria pretendon se i akuzuari më të dalë jashtë ka shtënë me armë në drejtim të derës së hyrjes, e më pas i njëjti i është afruar derës, ndërsa gruaja e tij me djalin, kanë mbajtur derën duke tentuar të largojnë të akuzuarin nga aty.
Aktakuza thotë se i akuzuari pastaj ka shtënë edhe 1 herë në drejtim të derës, duke e qëlluar gruan e tij, e duke i shkaktuar kështu dëmtime të rënda trupore në boshtin kurrizor, në gjoks dhe në parakrahun e dorës së djathtë.