Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri dëshmon në procesin gjyqësor ndaj ish shefit të kabinetit të tij

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka dal sot para gjykatës së Pejës për të dëshmuar lidhur me procesin gjyqësor ku ish shefi i kabinetit të tij po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Krahas tij si të akuzuar për këtë rast janë edhe Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara, Gëzim Shala, po ashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe i akuzuari Ilir Kelmendi për mashtrim.

Këta po akuzohen lidhur me një makinë e barit e sjellë nga një operator ekonomik, që ishte në vlerë prej 2 mijë euro, ndërsa ishte pranuar për vlerë prej 11,929.41 euro, ku me këtë veprim sipas prokurorisë është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9,929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomk.

Muhaxheri duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues tha se nuk i kujtohet se a kanë pas autorizim zyrtarët komunal për nënshkrimin e mallit të pranuar.

“Për rastin konkret unë nuk mund të them se me siguri kam njohuri, por e di se këtu të pandehurit Gëzim Lajqi, Gëzim, dhe Zhara, caktohen si anëtarë të komisioneve për pranim”, tha dëshmitari Muhaxheri.

Ai tha se të tre zyrtarët kanë qenë shumë të ngarkuar pasi kjo është një punë më shumë përgjegjësi.

Prokurori Agron Galani pyeti Muhaxherin se me rastin e caktimit të komisionit për pranimin e mallit, a ju dorëzohet të njëjtëve një vendim me shkrim lidhur më këtë.

Muhaxheri tha se një vendim me shkrim iu dorëzohet atyre.

“Shefi i prokurimit iu jep vendimin për cilin komision janë caktuar, nëse nuk janë vendimet e shtypura i udhëzon të bëjnë pranimin e mallit e më vonë ju lëshon edhe vendimin”, tha tutje Muhaxheri.

Prokurori tha se në rastin për të cilin po zhvillohet gjykimi nuk ka vendim mbi caktimin e komisionit por vetëm një raport mbi pranimin e mallit nga Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala.

“Auditori i ka gjetur 7-8 raste që nuk kanë pas vendime, dhe drejtorit të prokurimit kjo çështje i është shmangur dhe atë për shkak të vëllimit të madh të punëve që i ka pasur në komunë”, tha për këtë Muhaxheri.

Muhaxheri tha se nuk i kujtohet se a ka lëshuar apo jo vendim për caktim si anëtarë të komisionit për Ruzhdi Zharën, Gëzim Lajqin dhe Gëzim Shalën.

“Sa i përket rastin konkret nuk më kujtohet a kam lëshuar vendim, ka mundësi që i kam ftuar në telefon përmes Xhemë Berisha, e ka mundësi të këtë qenë edhe shefi i kabinetit aty kur i kam thirrë”, tha Muhaxheri.

Muhaxheri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Galani tha se Faik Zekaj nuk e ka njoftuar atë për të metat e makinës së barit.

Muhaxheri shtoi se në atë kohë Faik Zekaj ka qenë kandidat për asamble komunale.

“A i ndërpritet marrëdhënia e punës në rastin konkret Faik Zekës nëse kandidon për asamble komunale”, ishte pyetja e prokurorit.

“Me ligjin për shërbyes civil në momentin që e shpallë kandidaturën për asamblist komunal e lista është e certifikuar nga KQZ, shefi i personelit i largon të gjithë atë më vendim nga lista e pagave”, u përgjigj Muhaxheri.

Prokurori i shtetit e ballafaqoi dëshmitarin me aktvendimin kuvendit komunal të Pejës, të nënshkruar nga kryetari i komunës, prej nga rezulton se Faik Zekajt i ishte lejuar shfrytëzimi i pushimit pa pagesë nga 22.09.2017.

“Prej praktikës, kandidatët për asamble një javë më herët i lirojnë vendet e punës”, tha Muhaxheri.

Muhaxheri tha se nuk i kujtohet nëse ishte autorizuar dikush tjetër në vend të Faik Zekës për nënshkrimin e raportit për pranim të mallit.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Durim Sheremeti, avokati Labinot Murati, kërkoi nga dëshmitari të tregoi lidhur me kompetencat e shefit të kabinetit.

Muhaxheri tha se kjo ka shkuar sipas praktikës së qeverisjes së kaluar, ku detyrat që i ka pas shefi i mëhershëm i kabinetit të njëjtat i ka pas edhe Durim Sheremeti.

“Detyrat që i ka pas shefi i mëhershëm i kabinetit, ato i ka pas, nuk ka pas detyrë të re, vetëm nëse ja kam dhënë ndonjë detyrë me specifike ad hoc”, shtoi dëshmitari.

Muhaxheri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Murati, tha se nuk i kujtohet nëse ai ka qenë në njohuri se Sheremeti ka nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit.

“Nuk më kujtohet, ka qenë një projekt i vogël për me m`u kujtu”.

“Në momentin kur e kemi dorëzuar listën në KQZ, nuk ka dal në punë asnjëri e edhe unë si kryetar i komunës kam dal me orar të shkurtuar, shefi i personelit vendimet i ka bërë më vonë, dhe atë kur ka filluar fushata zyrtarisht”, shtoi tutje dëshmitari.

Pyetje për Muhaxherin pati edhe i akuzuari Sheremeti.

“Kryetar a ka ndodh ndonjëherë që unë kam bërë diçka pa dijeni tënde?”.

“Me sa e di unë jo”, tha kryetari.

Gjykata e Pejës i kishte shpallë fajtor të akuzuarit për këtë çështje penale, por një vendim i gjykatës së Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë se Pejës, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11,929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.

Sheremeti sipas Dosjes së Prokurorisë ka nënshkruar raportin në emër të Organit Mbikëqyrës – menaxherit të projektit Faik Zekaj, i cili me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka qenë i emëruar menaxher i projektit në fjalë.

Sipas Prokurorisë, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dy mijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9,929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9,929.41 euro

Sipas aktakuzës, zyrtarët komunal Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Aktakuza pretendon se të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9,929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9,929.41 euro.

Në anën tjetër, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, pasi që si pronar firmës “Green Construcion-Shpk”, duke paraqitur fakte të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore prej 9,929.41 euro.

Me këto veprime të dyshuarit akuzohen se i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Pejës në vlerë prej 9,929.41 euro.