Gjykimi për vrasjen në Istog, eksperti thotë se nuk mund të përcaktojë kohen e vdekjes së viktimës
Në Gjykatën e Pejës sot ka vazhduar gjykimi për vrasjen e Arben Dekajt, vrasje për të cilën po akuzohet Kamber Buleshkaj.
Buleshkaj akuzohet se më 12 shtator 2018 me 8 plumba e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Arben Dekaj, e pastaj e kishte hedhur trupin e tij nga ura në lumin e Shushicës.
Naim Haliti, i cili ka qenë përpilues i raportit të autopsisë, është ftuar nga gjykata për të deklaruar lidhur me ekspertimin e tij.
Në akt ekspertimin e kryer nga eksperti Haliti nuk është konstatuar koha e vdekjes së viktimës, andaj në këtë drejtim ishin edhe pyetjet e trupit gjykues për ekspertin.
Eksperti lidhur me kohen e vdekjes tha se nuk mund të përshkruhet ora e saktë, por që ky proces ndërlidhet me fenomenet e hershme kufomore të cilat edhe i ka paraqitur në akt ekspertim.
Kryetarja e trupi gjykues, gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, kërkoi nga eksperti që bazuar nga shkresat e lëndës dhe ekspertiza t’i ofroj gjykatës sqarime lidhur me kohën e vdekjes.
“Sipas shkresave të lëndës dhe aktakuzës së ngritur rezulton të jetë koha e kryerjes së veprës penale 12.09.2018 ora 20:52-21:15, ndërsa kufoma është gjetur në vendin e ngjarjes me 14.09.2018, nga ekspertiza kuptojmë se keni konstatuar se lëndimet janë të freskëta, ndërsa në përgjigjen tuaj lidhur me kohen e vdekjes thatë se nuk e keni cekur në raportin e autopsisë, në arsyet e cekura me lartë, si mund të na sqaroni këtë”, tha gjyqtarja.
Eksperti sqaroi se nuk mund të konstatohet saktë koha e vdekjes, por për këtë ekspertët bazohen në të dhënat që i marrin nga kufoma, e që këto të dhëna-fenomenet e hershme kufomore mund të zgjasin deri në 48 orë.
“Dua të shtoj se fenomenet e hershme mund të zgjasin deri në 48 orë, varet nga faktorët e jashtë, çka përputhet edhe me rastin, një ditë e gjysmë aty është”, shtoi tutje Haliti.
Ekspertit iu jepen për shikim edhe fotografitë e veturës, në të cilën janë gjetur njolla të gjakut, e që sipas adn-së janë përputhur me gjakun e të ndjerit.
“A ka pas mundësi që është vrarë në vendin e ngjarjes në shtëpinë e të akuzuarit dhe të bartet me veturë duke supozuar që ka qenë ulur në karrigen e pasagjerit”, ishte pyetja e gjykatëses Nushe Kuka- Mekaj.
Eksperti tha se nëse lëndimet do të ishin shkaktuar në makinë apo ndonjë vend shumë afër makinës, gjakderdhja do të ishte masive e jo vetëm njolla gjaku si edhe janë gjetë në veturë.
“Meqë në trup të njeriut janë 5 litra gjak dhe çdo derdhje e gjakut në vendin e ngjarjes tjetër dhe pastaj vonesa deri sa të futet në makinë si në rastin konkret, sasia e madhe e gjakut mund të mbetet në vendin e ngjarjes, pastaj një pjese mund të mbetët në hapësirat abdominale, kurse në vendet tjera mund të ketë njolla të tilla si në rastin konkret në veturë, por ne nuk mund të e paragjykojmë rastin”, tha ai.
Në anën tjetër, prokurori i rastit, Agron Galani, kërkoi që në bazë të përshkrimit të vrimave hyrëse dhe dalëse në trupin e viktimës, eksperti të sqaroi largësinë e mundshme prej nga janë shkrepur predhat.
“Vrimat të cilat janë të përshkruara janë vrima të cilat janë qitur nga largësia, vrimë nga largësia janë të gjitha ato vrima që shkaktohen mbi një metër, tash a ka qenë 2 a 10 nuk mundemi më përcaktuar, por kanë qenë nga largësia”, tha eksperti.
Para gjykatës sot ka deklaruar edhe eksperti i IT-së, Besim Hasanaj.
Hasanajt ju prezantuan për shikim pamjet nga kamerat që janë marrë në afërsi të vendit të ngjarjes, duke kërkuar që të deklarohet se nëse bëhet një zmadhimi i këtyre pamjeve.
“Mund të bëhet një zmadhim i përafërt sa të dallohen konturat e automjetit që shihet në cd”, deklaroi Hasanaj.
Mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollqaku, pas deklarimit të ekspertit, i propozoj gjykatës që t`i jepet kohë për të përpiluar me shkrim kërkesën për zmadhim dhe ndriçimi të këtyre pamjeve.
Gjyqtarja aprovoi propozimin e tij, duke kërkuar nga ai që kërkesën të e paraqes brenda afatit prej dy ditësh.
Prokuroria e Pejës pretendon se në shtator të vitit 2018 në Istog, i ndjeri me veturën e tij kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Kamber Buleshkaj, duke kërkuar nga ky i fundit një armë të llojit kallashnikov, që këtë armë të ndjerit ia kishte kërkuar Abedin Hysenaj, që të festonin në një aheng familjar.
Sipas dosjes se Prokurorisë, pas një mosmarrëveshjeje i akuzuari Buleshkaj privon nga jeta Arben Dekajn, e pastaj te lumi i Shushicës e hedh trupin e tij nga ura në lumë.