Adem Grabovci në gjykatë (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Gjykimi i Adem Grabovcit: Në përgjime flet më së shumti, në gjykatë mbyll gojën

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka zgjedhur të mbrohet në heshtje në gjykimin që po vazhdon për rastin e përgjimeve ‘Pronto’.

Në seancën e sotme, pasi u ftua nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti, për t’u deklaruar para gjykatës me akuzën që ngarkohet nga prokuroria speciale, i akuzuari Adem Grabovci tha se do të mbrohet në heshtje.

‘’Dua të mbrohem në heshtje sepse për mua ky gjykim është përfunduar në vitin 2014’’, tha ai.

Në Gjykatën e Prishtinës po mbahet seanca për rastin “Pronto” ku të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, përfshirë ish-deputetin Adem Grabovci, ish-ministrin Besim Beqaj, ish-deputetin Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministrin Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtorin e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefen e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Adem Grabovci akuzohet nga Prokuroria Speciale me 9 pika të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Adem Grabovci gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kishte komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë të bordit të drejtorëve  në ndërmarrjet publike, ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.

Kallxo.com ka monitoruar rastin ‘’Pronto’’ në vazhdimësi. Raportimet rreth këtij procesi gjyqësor mund t’i gjeni në këtë link.