Arsyetimi i Supremes për rastin "Pronto"
Në korrik të vitit të kaluar Gjykata e Apelit kishte marrë vendim me të cilin e kishte aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale, dhe vendimin lirues të Gjykatës së Prishtinës e kishte ndryshuar në dënues për Adem Grabovcin, Ilhami Gashin e Sadat Gashin.
Gjykata Supreme përmes një vendimi e ka prishur këtë vendim të gjykatës së Apelit dhe vendimin e Gjykatës Supreme të shtatorit të vitit të kaluar.
Ky vendim i supremes vjen pas aprovimit të kërkesës për mbrojtje së ligjshmërisë që i është drejtuar kësaj gjykatë nga mbrojtësit e të akuzuarve.
Rasti Pronto kishte shkuar në Gjykatën Supreme edhe me rastin e ushtrimit të ankesës nga Prokuroria Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve.
Gjykata Supreme në nëntor të vitit 2020, kishte refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ndaj 3 të akuzuarve, Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sadat Gashi.
Tash pas aprovimit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, kjo çështje penale i është kthyer në rigjykim Gjykatës së Apelit.
Gjykata Supreme ka vlerësuar së aktgjykimi i shkalles së dytë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale për shkak se sipas kësaj gjykatë nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete se cilat shkelje konsistojnë në pjesën e arsyetimit për ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësisë penale.
“Gjykata Supreme duke vlerësuar aktgjykimin e shkalles së dytë verën faktin se në arsyetimin e aktgjykimit nuk është dhënë arsyetim bindes përkitazi me privilegjin dhe përparësinë mbi bazën e përkatësisë politike për punësimin e kandidatit Afrim Dauti”, thuhet në arsyetimin e vendimit të kësaj gjykate.
Gjykata thotë se përkundër faktit të pakontestueshëm për bisedat telefonike të zhvilluara mes të dënuarve, megjithatë sipas kësaj gjykate me asnjë veprim konkret nuk është vërtetuar se në çfarë forme është privilegjuar kandidati Afrim Dauti.
Gjykata ka gjetur paqartësi dhe mangësi në arsyetim edhe përkitazi me kandidatin tjetër Blerim Camaj.
“Mirëpo arsyetimi i Gjykatës së Apelit sipas këndvështrimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, paraqet në fakt një definim të përparësisë dhe privilegjit të një kandidati në këtë rast të kandidatëve Afrim Dauti dhe Blerim Camaj në raport me kandidatët e tjerë dhe i cili privilegj edhe mund të këtë ndodhur por nuk është arsyetuar fakti se ky privilegj gjegjësisht përparësi në çfarë baze është dhënë këtyre kandidatëve për faktin se bazuar në transkriptet e bisedave telefonike në asnjë rast nuk është definuar përkatësia politike e tyre që do të paraqite baze për punësim dhe cilat janë veprimet konkrete të të akuzuarve për të realizuar këtë privilegj”, thuhet në arsyetim të vendimit.
Sipas Gjykatës Supreme, Gjykata e shkalles së dytë e ka konstatuar shkeljen e ligjit, por nuk e ka konstatuar specifikisht se cila dispozitë është shkelur në këtë rast e po ashtu nuk e ka arsyetuar përkatësinë politike të kandidatëve.
Ndërsa sa i përket tejkalimit të kompetencave të Adem Grabovcit dhe Sadat Gashit, Gjykata Supreme ka vlerësuar se arsyetimi i gjykatës së shkallës së dytë për këtë pjesë, është i paqartë dhe i pamjaftueshëm e po ashtu interpretim ekstensiv i dispozitës ligjore.
“..kjo mënyrë e interpretimit mund të shihet si prima facie tejkalim përtej përkufizimit të inkriminimit ligjor të përcaktuar me dispozitën ligjore të nenit 193 par.4 të KPRK-së”, thuhet tutje në vendim.
Në këto rrethana, rasti i është kthyer në rigjykim Gjykatës së Apelit.
Në rastin ‘Pronto’ deri më tani ishin marrë dy vendime, njëri lirues nga gjykata e shkallës së parë më 3 janar 2020, dhe njëri dënues nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit, më 1 korrik 2020, e kishte ndryshuar vendimin lirues të shkallës së parë për të akuzuarit Adem Grabovci, Ilhami Gashi e Sedat Gashi duke i dënuar me kusht. Më pas, ankesat ndaj këtij vendimi lëndën e dërguan në Gjykatën Supreme për të prishur vendimin e Apelit.
Gjykata e Apelit, të akuzuarit i kishte dënuar me dënim me kusht dhe dënime plotësuese si në vijim.
Adem Grabovcit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 2 muajve burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohej në rast se ai nuk do të kryente vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Ilhami Gashit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i akuzuari nuk do të kryente vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu ishte hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Ndërsa Sedat Gashi ishte dënuar, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i akuzuari nuk do të kryente vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Në çështje tjera (pika I, IV, V, VI, VII, VIII, IX e dispozitivit) ankesa e prokurorisë ishte refuzuar si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është vërtetuar, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.
Fjala “Pronto” ishte bërë e famshme në vitin 2014, menjëherë pasi që rrodhën përgjimet e para ku politikanët e lartë, kryesisht nga PDK u dëgjuan duke biseduar në mes vete.
Ish shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, ishte protagonisti kryesor në aktakuzën e Prokurorisë.
Grabovci ishte përgjuar teksa bisedonte me një numër të madh të zyrtarëve të shtetit ndër ta edhe me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin.
Në këto biseda telefonike Adem Grabovci dëgjohej tek bisedonte në lidhje me punësime dhe emërime të ndryshme nëpër borde e pozita shtetërore.
E ndonëse në këto përgjime, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dëgjohet që flet më së shumti, ai përballë Gjykatës kishte vendosur që të mbrohej në heshtje.
Pas 12 seanca gjyqësore, 455 ditëve, ose 1 viti e 2 muajve e 29 ditëve, pas ngritjes së aktakuzës, me vendimin e tre janarit të Gjykatës së Prishtinës, të gjithë të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.
Lidhur me këtë vendim të Gjykatës, reagim kishte pasur nga prokurorja Speciale Drita Hajdari e cila ishte shprehur e zhgënjyer me vendimin për lirimin e 11 të akuzuarve.
Ndërsa pas ankesës së Prokurorisë së ushtruar në Gjykatën e shkallës së dytë, kjo Gjykatë kishte vendosur që në disa pika ta ndryshonte aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë.
Grabovci i cili në nëntë raste u akuzua për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve në korrik të këtij viti u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit për dy punësime të kundërligjshme, pasi paraprakisht ishte liruar nga akuzat nga Gjykata e Prishtinës.
Bashkë me Grabovcin, me vendimin e Gjykatës së Apelit u dënuan edhe ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi dhe këshilltari politik Sadat Gashi.
Adem Grabovci ishte dënuar me një vit e dy muaj burgim, Ilhami Gashi me një vit e katër muaj, ndërsa Sadat Gashi me 8 muaj burgim.
Tre të dënuarit nuk do të shkonin në vuajtje të dënimit në rast se brenda 2 viteve nuk do të kryenin ndonjë vepër tjetër penale.
Zyrtarët e tjerë, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajazitaj, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi u liruan nga akuza pasi që Gjykata vlerësoi se përgatitja për të kryer këtë vepër penale nuk është e dënueshme sipas ligjit.