Foto: Kallxo.com

Gjykatësi kërkon që monitoruesit ta shlyejnë incizimin e CD-së të lëshuar në gjykimin për trafikim me armë

Gjykatësi Valon Kurtaj ka kërkuar sot nga monitoruesit që ta fshijnë incizimin e CD-së së lëshuar në seancën publike.

CD-ja me xhirime nga vendi i ngjarjes së datës 27 qershor 2017 te restoranti “Nora” në të cilën shihen të akuzuarit duke bartur armët e mbështjella është lëshuar sot në gjykatore në seancën publike.

Mirëpo anëtari i trupit gjykues Valon Kurtaj ka kërkuar nga monitoruesit e KALLXO.com që këto incizime të fshihen në të kundërtën paralajmëroi se do të thirren zyrtarët e sigurimit.

Kjo CD është lëshuar me kërkesën e avokatit Sali Mekaj, mbrojtës i të akuzuarit Miftar Dobraj.

Poashtu gjykata nuk mori vendim për t’ua ndaluar apo kufizuar monitorueseve fotografimi dhe filmimin e seancës ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas prokurorisë speciale,  Miftar Drobraj, Artan Kelmendi dhe Daniel Prendrecaj po akuzohen se duke vepruar si një grup i organizuar në krye me ish-vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.

Foto: Kallxo.com

Në muajin prill të vitit 2018, filloi gjykimi ndaj të akuzuarve nën akuzën për krim të organizuar për trafikimin e armëve.

Në seancën e parë të 17 prillit 2019, Dren Mulla kishte pranuar fajësinë për veprën penal armëmbajtje pa leje edhe procesi gjyqësor ndaj tij ishte veçuar duke vazhduar me tre të akuzuarit e tjerë.

Gjykata e shkallës së parë me 20 korrik të vitit 2018 kishte shpallur fajtor të akuzuarit për veprat penale trafikim me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar grupin e organizuar me 12 vjet e 8 muaj burgim e 14 mijë euro gjobë, ndërsa individualisht u kishte shqiptuar këto dënime.

Gjykata e Prishtinës kishte dënuar Miftar Dobrajn me 5.6 vjet burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

Artan Kelmendi u dënua me 5.2 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Daniell Prenrecaj me 2 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, e i akuzuari Dren Mulla u dënua me 4 mijë euro gjobë.

Poashtu Gjykata kishte dhënë dënim plotësues konfiskimin e antitankës ‘’zollë’’ me projektil 64 mm,  8 pushkëve automatike  AK47, një pushke ajrore, një revole “Glock”, një Audi A3, shumën prej 1,653 euro si dhe 3 telefona.

Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, pasi që gjykata e shkallës së parë në hyrje të aktgjykimit ka përshkruar kualifikimin ligjor që  e ka bërë gjykata e jo Prokuroria, pastaj dispozitivi I aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin e tij, konstatimi i gjykatës ë shkallës së parë ishte në kundërshtim me provat materiale, gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin juridik të aktakuzës.

Ndërsa për të akuzuarin Dren Mulla është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë.

Kallxo.com ka raportuar ne vazhdimësi lidhur me këtë rast.