Vrasja për prerjen e malit në Viti, rigjykimi ndaj Bujar Emërllahut drejt fundit

Rigjykimi ndaj Bujar Emërllahut, i akuzuar për vrasjen Ardit Qamilit, e cila sipas Prokurorisë kishte ndodhur për shkak të prerjes së drunjve në mal, po shkon drejt përfundimit.

Në seancën e së mërkurës (24.07.2019), të udhëhequr nga trupi gjykues në përbërje të kryetarit Aziz Shaqiri dhe anëtarëve Agim Ademi dhe Veli Kryeziu janë dhënë fjalët përfundimtare.

Prokuroria e Gjilanit e akuzon Bujar Emërllahun, se në datën 08.09.2017 në një pjesë malore të fshatit Buzovik të Komunës së Vitisë, pas një mosmarrëveshje për drunjtë që ishte duke i marrë i akuzuari në atë mal, është përleshur me tani të ndjerin Ardit Qamili dhe e ka vrarë duke shtënë me armë.

Duhet të theksohet se këtë çështje penale gjykata po e shqyrton në rigjykim, duke qenë se më parë Gjykata e Gjilanit kishte nxjerrë aktgjykim dënues, por Gjykata e Apelit pas ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit për shkelje të procedurës penale, e ka kthyer çështjen për rivendosje.

Në shqyrtimet e kaluara janë proceduar provat dhe është dëgjuar mbrojtja e të akuzuarit, ndërsa në këtë shqyrtim gjyqësor janë deklaruar fjalët përfundimtare të palëve.

Prokurori Shaban Spahiu në fjalën përfundimtare deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari vrasjen e ka kryer me dashje.

Gjithashtu, prokurori deklaroi se në bazë të provave dhe deklaratave të dëshmitarëve, madje edhe disa deklaratave të të akuzuarit, nuk vërtetohet pretendimi i mbrojtjes se i akuzuari ka vepruar në rrethana të mbrojtjes së nevojshme.

Prokurori theksoi gjithashtu se edhe pretendimi i të akuzuarit se ka pasur për qëllim të shkrepë armën në ajër nuk qëndron, sepse sipas ekspertizës drejtimi i plumbit që e ka goditur viktimën, ka qenë nga lart poshtë.

Prandaj, prokurori propozon që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe të e dënoj me dënim meritor sipas ligjit.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ymer Huruglica, në fjalën përfundimtare, deklaroi se i akuzuari veprën penale e ka kryer me qëllim dhe dashje.

Avokati deklaron se pretendimet e mbrojtjes se i akuzuari ka qenë i sulmuar me drunj nga viktima, nuk qëndrojnë. Këtë pretendim avokati e bazon në raportin mjekësor të të akuzuarit që sipas avokatit paraqet se plagët e të akuzuarit kanë qenë vetëm disa gërvishtje që ka mundur t`i pësojë nga pemët gjatë largimit nga vendi i ngjarjes dhe jo nga sulmi i pretenduar nga viktima. Prandaj avokati propozon që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj me dënim meritor sipas ligjit.

Ndërsa në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Pira, deklaroi se gjykata duhet ta ketë parasysh se asnjëherë i akuzuari dhe viktima nuk kanë pasur raporte të këqija, prandaj sipas tij nuk mundet që i akuzuari të ketë pasur qëllimin për të ndërmarrë veprën penale.

Avokati shtoi se raportet mjekësore të të akuzuarit kanë vërtetuar që plagët kanë qenë të shkaktuara nga shkopinjtë e drunjtë, që e vërteton sulmin ndaj të akuzuarit e rrjedhimisht sipas avokatit vërtetohen rrethanat për mbrojtjen e nevojshme.

Prandaj, avokati deklaroi se klienti i tij vrasjen nuk e ka bërë me qëllim dhe dashje, por në rrethana të mbrojtjes së nevojshme duke qenë i sulmuar nga viktima tani i ndjeri.

Gjykata pas deklarimeve të fjalëve përfundimtare e përfundoi shqyrtimin gjyqësorë për këtë çështje penale dhe do të shpallë vendimin në datë tjetër.

https://kallxo.com/rrefimi-i-te-akuzuarit-vrasja-ne-malet-e-vitise-ndodhi-pas-mosmarreveshjes-per-dru/

https://kallxo.com/vrasja-ne-mal-gjyakata-vendos-qe-te-shikohet-vendi-ku-kishte-ndodhur-rasti/

.