Ish-komandanti i UÇK-së Rustem Mustafa vazhdon të jap dëshminë

Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka vazhduar të jap dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Në cilësinë e dëshmitarit, Rrustem Mustafa derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurores speciale, Clare Laëson ka thënë se “BIA” dhe “Brigada 153” ka qenë një shoqëri.

“Njësia BIA dhe Brigada 153 është një shoqëri, por njësia BIA ka qenë e themeluar para brigadës dhe besoj që kjo njësi ka ndihmuar në formimin e brigadës 153. Është shoqëri e njëjtë mbi bazën në të cilën janë ndërtuar këto dy njësi. Kanë vepruar ndaras por nuk e di momentin, kur janë ndarë, e di që BIA ka qenë njësi e veçantë, që ka mundur t’i raportojë zonën operative të Llapit, mua dhe shtabit tim” – tha Mustafa.

Duke dhënë dëshminë ish-komandanti Remi ka folur për takimin me Rexhep Selimin dhe komandantin legjendar Adem Jashari.

Ai ka thënë se në shtabin e përgjithshëm kontaktonin me komandant legjendar, Adem Jasharin.

“Ka qenë komandanti legjendar Adem Jashari” – tha dëshmitari Mustafa.

Mustafa ka shpjeguar se Rexhep Selimin e ka takuar bashkë me komandantin Jashari.

“E kam takuar bashkë me komandantin Adem Jashari. Një ditë para se të bëhet lufta më Prekaz ku ra komandanti bashkë me familjen…Në mbrëmje kam shkuar në shtëpinë e Adem Jasharit. Nga aty kemi vazhduar rrugën për një fshat ku Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Sylejman Selimi në vendin ku i vizitonin të plagosurit më kanë marrë me vete, kemi pasur për të shkuar në një fshat të Drenicës me fol për UÇK-në” – deklaroi dëshmitari Rustam Mustafa.

Mustafa është pyetur edhe rreth kodeve të cilat janë vendosur në kohë lufte.

“Emërimet si Dardania, Buna, Kështjella, këto kanë qenë të miratuara nga Shtabi i Përgjithshëm, kurse numrat i kemi vendosur vet…Kur ka dashur të komunikojë me mua përmes radiolidhjes, është drejtuar me Dardania 100, nuk është përmendur emri Remi. Ashtu vlen edhe për numrat e tjerë më poshtë”-ka thënë Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për një person i cili ka qenë i ndaluar me emrin Sylejviq për të cilin ai tha se nuk kishte kod.

“Më kujtohet një Syleviq që ka qenë i ndaluar nga ne por nuk besoj që ai ka pasur numër kod, mund të jetë një emër tjetër” – pohoi dëshmitari Mustafa.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.