Prokuroria Speciale sjell dëshmi të reja kundër Remzi Shalës, i akuzuar për krime lufte

Në Gjykatën e Prizrenit, në rigjykimin ndaj ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, përfaqësuesi i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj, ka sjellë dëshmi të reja lidhur me deklarimin e dëshmitarit Mefail Helshani.

Helshani në seancat e kaluara, përpara trupi gjykues kishte deklaruar se nuk e ka njohur Remzi Shalën dhe se nuk ka qenë aktiv në luftë në qershor të vitit 1998.

Lidhur me këtë fakt, prokurori Gecaj shtoi se pasi që dëshmitari Mefail Helshani kishte deklaruar se ekziston vendimi – dokumenti mbi plagosjen dhe shkallën e lëndimit të tij në luftë, ai nga gjykata ishte udhëzuar që të sigurojë këtë dokument.

Këto shkresa-prova, prokurori ia paraqiti kryetares së trupit gjykues dhe më pas iu dhanë edhe palëve të tjera në gjykim.

Pas pauzës dhe leximit të provës, Asdren Hoxha përfaqësues i palës së dëmtuar, tha se ky dokument kundërshton në masë të madhe dëshminë e Mefail Helshanit i cili kishte theksuar se ka qenë i plagosur me datë 15 maj 1998 dhe nga ajo kohë kishte qenë jashtë angazhimeve ushtarake.

“Nga raporti në fjalë, përkatësisht vërtetimi i lëshuar nga ana e TMK-së, vërtetohet se Mefail Helshani ka qenë i plagosur me datën 15 qershor 1998 gjë që është në kundërshtim me dëshminë e tij të dhënë para kësaj gjykate”, shtoi avokati Hoxha.

Ai shtoi se askund në këtë dokument, nuk është cekur shkalla e plagëve të pësuara e as ndonjë raport i mjekut Agim Hazërolli, siç kishte pretenduar Helshani.

Në anën tjetër, Blerim Mazreku mbrojtës i të akuzuarit Remzi Shala theksoi se meqenëse ky dokumentacion përmbante shumë faqe, pretendimet e tij lidhur me këtë provë do t’i deklarojë më vonë.

Pas sjelljes së provave të reja nga Prokuroria Speciale, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, aprovoi propozimin për dëgjimin e dëshmitarit dr. Agim Hazërolli.

Kurse për seancat e radhës do të dëgjohen edhe disa dëshmitarë të tjerë.

Prokuroria Speciale më 19 tetor 2016 ngriti aktakuzë ndaj Remzi Shalës për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë ish – pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Më 26 qershor 1998, rreth orës 23:00, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar, me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në diapozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këtë rast, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, disa muaj më vonë, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga shkalla e dytë i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Arsyet që e kanë shtyrë kolegjin e Apelit që të zbutë dënimin ishte fakti se i akuzuari Remzi Shala ishte akuzuar dhe shpallur fajtor për marrjen peng të viktimës Haxhi Përteshi, por jo për vrasjen e tij.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë në Prizren për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Tensione në gjykimin e ish – komandantit “Molla e Kuqe” i akuzuar për krime lufte

Gjykata shpall fajtor ‘Mollën e Kuqe’ për krime lufte

Gjykata Supreme kthen në rigjykim rastin e Remzi Shalës “ Molla e Kuqe”